1 në pranga, 3 në kërkim/ Grabitën edhe bankomatin e një banke në Gjirokastër

Tre persona janë shpallur në kërkim dhe një person ka rënë në pranga pasi janë akuzuar për vjedhje bankomatesh në qytete të ndryshme.

Policia e Tiranës ka bërë me dije se në kuadër të operacionit ‘Bankomati’ në pranga ra Ylli Gerra, 31 vjeç, banues në Vlorë. Ai bashkë me këta 3 persona akuzohen për 5 vjedhje bankomatesh.

Njëkohësisht është bërë shpallja në kërkim e shtetasve:
N. G., 24 vjeç,
I. G., 30 vjeç,
I. G., 24 vjeç.
Për këta shtetas është arritur të dokumentohet me prova të mjaftueshme ligjore, se janë autorë të dyshuar të vjedhjeve të ndodhura:

Më datë 30.12.2016, ku kanë vjedhur një bankomat të një Banke të nivelit të dytë në Novoselë, Vlorë.
Më datë 08.01.2017, ku kanë vjedhur një bankomat të një Banke të nivelit të dytë në Berat.
Më datë 14.01.2017, ku kanë vjedhur një bankomat të një Banke të nivelit të dytë në Tiranë pranë Q.S.U.T.
Më datë 20.02.2017, ku kanë vjedhur një bankomat të një Banke të nivelit të dytë në Gjirokastër.
Më datë 11.03.2017, ku kanë vjedhur një bankomat të një Banke të nivelit të dytë në Patos, Fier.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: Një automjet i markës “Nissan Yuke”, i cili rezulton i vjedhur në Tetor 2016, në qytetin e Tiranës. Dy pajisje prerëse metali me bombula gazi si ato të saldimit. Disa komplete me vegla pune të cilat dyshohet se shërbenin për hapjen e bankomateve.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale të “Vjedhjes së Bankave dhe Arkave të Kursimit” e kryer në bashkëpunim dhe “Vjedhja”, parashikuar nga Nenet 136/2 dhe 134 të Kodit Penal.