Krimet e Rënda vendosin arrest me burg për 3 nga të arrestuarit e Lazaratit

gjykata-300x225Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me Burg” për Klodian Selimi dhe Dervish Gabën, të cilët dyshohet se janë pjesë e grupit të zjarrit në Lazarat, që i morën jetën efektivit të Forcave RENEA, Ibrahim Basha dhe plagosën dy punonjës të tjerë policie.

Në Gjykatën e Krimeve të Rënda tre prej të arrestuarve që akuzohen se sulmuan me armë policinë në Lazarat dalin para togave të zeza.

Gjykata e Krimeve të Rënda përcaktoi masën e sigurisë për Klodian Selimin 19 vjeç, si dhe ndaj Dervish Gabën 20 vjeç, si dhe ndaj Elvis Boçit 19 vjeç.

Akuzat që rëndojnë ndaj tre personave janë “Vrasje e punonjësve të policisë së shtetit në bashkëpunim, e mbetur në tentativë në pesë raste” dhe “Prodhim e mbajtje pa leje e armëve dhe e municionit”.

Ndërkaq dy vëllezërit Arbjon dhe Alban Aliko të akuzuar për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha do të dalin nesër para togave të zeza për masë sigurie. Para grupit hetimor ata kanë mohuar të kenë qenë pjesë e grupit që qëlloi me armë ndaj policisë 5 ditë më parë.