40 vjet në punë si kujdestar i liqenit, e shkarkon Vangjel Tavo sepse nuk shkoi në mitingun e LSI-së

Kandidati për deputet i PS-së, Flamur Golemi, ka denoncuar rastin e një të moshuari nga Lunxhëria, i cili është pushuar nga puna prej Vangjel Tavos sepse nuk mori pjesë në takimin e LSI-së. Ai punonte si kujdestar i Liqenit të Nokovës. Më poshtë denoncimi i plotë i Golemit.

Xha Pano është një i moshuar që e njohin të gjithë në Lunxhëri. Prej më shumë se 40 vjet ka punuar si kujdestar për Liqenin e Nokovës, një punë që më thotë se bënte më shumë për pasion sesa për rrogën modeste që përfitonte. E kanë pushuar nga puna para dy ditësh, me urdhër të Vangjel Tavos dhe puthadorëve të oborrit të tij, sepse nuk kishte marrë pjesë në takimin elektoral të LSI-së. Të jeni të bindur se ky nuk është rasti i vetëm, që Tavo dhe LSI i përdorin njerëzit si mish për top. Për turp të tyre, nuk kanë model tjetër veç këtij për të marrë vota. Shfrytëzojnë vendet e punës në Bashki apo institucionet e tjera a thua janë pronë e partisë së tyre. Kjo duhet dhe do të marrë fund pas dy ditësh. Ndëshkoni me votë  këtë model të shëmtuar që nuk duhet të ketë më vend në Shqipërinë që duam. Ndëshkoni me votë LSI-në dhe deputetin 20 vjeçar që sillet si bajraktar në Gjirokastër. Asnjë votë për LSI-në, asnjë votë për PD-në. Ne do të qeverisim të vetëm pas 25 qershorit, prandaj votoni numrin 2 në fletën e votimit.