Pa garë dhe me zgjedhje fasadë, Bektash Mema rizgjidhet rektor i Universitetit të Gjirokastrës

Numërimi i votave nuk ka nevojë fare. Bëhet thjesht për procedurë. Në Universitetin “Eqrem Çabej” Gjirokastër nuk pati zgjedhje, por një farsë të stisur nga ata që e rrënuan dhe e mbajnë peng këtë institucion arsimor. Bektash Mema që garonte me vetveten do të vazhdojë thjesht ta marrë rrogën si rektor i universitetit. Asgjë nuk duhet pritur prej tij. Njësoj si 4 vitet që shkuan edhe ky mandat ka për të qenë dështim. Sigurisht që s’mund të fitonte Bektash Mema pa fituar edhe Gëzim Sala në një tjetër garë me vetveten. Sala do të jetë sërish dekan i një prej fakulteteve.

30 korriku për Gjirokastrën ishte i ngjashëm me 30 qershorin e një viti më parë, por me një dëm shumë herë më të madh për institucionin më të rëndësishëm arsimor në jug të vendit. Këto zgjedhje ishin një shans i humbur. Askush nga trupa akademike nuk pati kurajon të ngrihej mbi kastën dhe pazarat që sundojnë prej vitesh në atë universitet. Me sa duket janë të gjithë të interesuar të ruajnë status-kuonë, të ndajnë ofiqet dhe përfitimet e tjera të padrejta në kurriz të rrënimit të universitetit. Zot mos i fal, se e dinë çfarë bëjnë!/ argjirolajm.net