Administrata publike, shkurtohen 7 mijë vende pune

administrataQeveria parashikon të mbajë në punë disa mijëra mësues më pak në vitin 2016, duke i kursyer buxhetit rreth 34 milionë euro.

Projektbuxheti i vitit 2016, i miratuar në qeveri javën e kaluar por i shpërndarë nga Ministria e Financave sot, thotë që qeveria ka ndër mend të mbajë të punësuar rreth 81 mijë punonjës në atë që njihet si administrata qendrore, rreth 7 mijë vetë më pak se sa qenë të punësuar në vitin 2014. Sipas tabelës, institucioni që do të pësojë reduktimin më të madh të numrit të punonjësve është sektori i arsimit. Qeveria ka në plan të mbajë këtë vit 31,186 punonjës nën varësinë e Ministrisë së Arsimit dhe e Sportit nga 38,291 punonjës që ka aktualisht.

Institucionet e tjera pësojnë disa ndryshime, por jo në këto përmasa. Ministria e Brendshme do të ketë vitin e ardhshëm rreth 500 punonjës më pak se sa këtë vit ndërsa numri i punonjësve të kryeministrisë do të dyfishohet, nga 227 aktualisht në 530 vetë vitin e ardhshëm.

Sipas relacionit të projektbuxhetit, qeveria thotë: “Për vitin 2016 reforma e administratës publike do të fokusohet në rritjen e vazhdueshme të efiçencës dhe performancës së administratës qendrore, e cila do të arrihet nëpërmjet ristrukturimeve të institucioneve ekzistuese. Numri i punonjësve për vitin 2016 arrin në 81.350 punonjës, duke reflektuar transferimin e disa funksioneve nga qeverisja qendrore në atë vendore”.

Megjithatë, të dhënat financiare të projektbuxhetit tregojnë se qeveria ka ndër mend të shpenzojë vitin e ardhshëm rreth 4.8 miliardë lekë (34 milionë euro) më pak se sa këtë vit në fondin e personelit.

Projeksionet e qeverisë janë që për vitin 2016, shpenzimet e personelit, ku përfshihen pagat dhe sigurimet shoqërore e shëndetësore për sektorin publik të jenë 71.3 miliardë lekë ndërsa në buxhetin e këtij viti kanë qenë 76.1 miliardë lekë.

Për shkak se shkurtimet do të kryhen më së shumti te Ministria e Arsimit, edhe buxheti në dispozicion të kësaj ministrie do të reduktohet nga 39 miliardë lekë që qe buxheti i këtij viti në 36.4 miliardë lekë vitin e ardhshëm. Shkurtimet më të ashpra pritet të rëndojnë në arsimin bazë, ndërsa arsimi i mesëm dhe ai universitar do të marrin rritje fondesh.

Në Shqipëri ka aktualisht sipas Institutit të Statistikave, rreth 166 mijë vetë të punësuar në sektorin publik, ku përfshihet qeverisja qendrore, pushteti vendor dhe kompanitë nën pronësi publike. Rreth gjysma e tyre janë të përfshira në funksionet e administratës qendrore dhe raportohen te ligji për buxhetin e shtetit.

Administrata publike në Shqipëri konsiderohet aktualisht e fryrë për shkak se numri i të punësuarve ka mbetur prej shumë vitesh i pandryshuar ndërkohë që dyshohet se popullsia rezidente në vend ka ardhur duke u tkurrur në mënyrë të vazhdueshme.

BIRN