Aeroport në Gjirokastër? Rama i vendosur: Do ndërtohet në Vlorë!

Ndërtimi i aeroportit në Gjirokastër nuk është në planet e qeverisë shqiptare, të paktën për tani. Kryeministri Rama gjatë vizitës së tij në Gjirokastër fundjavën e shkuar nuk e përmendi fare çështjen e aeroportit, ndërsa ai foli sot në Vlorë për një projekt të tillë.

Njësoj si para ca kohësh gjatë takimit me Erdogan në Turqi, kryeministri premtoi sot në Vlorë ndërtimin e një aeroporti të ri rajonal.

“Jam i bindur që ne do ta ndërtojmë një aeroport rajonal, jo një pistë turistike, por një aeroport për mallrat dhe udhëtarët. Një aeroport që do ta bëjë gjithë bregdetin e jonit një nga zonat më turistike të Mesdheut, që do t’i mundësojë gjithë banorëve të jugut të mos shkojnë deri në Tiranë për të marrë avionin”, tha Rama gjatë takimit me të rinjtë e Vlorës që votojnë për herë të parë.