Analizë e debatit mes mbështetësve të Çomos dhe Mandit

Libohova zgjedhjeParalel me fushatën në terren, kandidatët për Bashkinë Libohovë po zhvillojnë fushatë edhe në internet dhe sigurisht që përfshijnë në debate  mbështetësit e tyre. Nisemi nga diskutimet që po zhvillohen mes mbështetësve të Luiza Mandit dhe Altin Çomos në faqen Libohova Online, për të dhënë një analizë më të plotë të këtij debati. Si një faqe e hapur dhe e pavarur, Libohova Online nuk çensuron komentet pro apo kundër njërës palë, përjashto rastet kur tejkalohet çdo limit etik e moral. Le të analizojmë mënyrën dhe argumentet se si mbështetësit e dy kandidatëve mbrohen dhe sulmojnë

Si mbrohen mbështetësit e Çomos

Ajo që bie më shumë në sy në pothuajse çdo koment të mbështetësve të tij, ka të bëjë me atë që sipas tyre “Çomo ka bërë shumë ndere”, prandaj meriton të rizgjidhet sërish në krye të bashkisë. Thonë që dikujt i ka futur një të afërm në punë, dikujt i ka zgjidhur një hall në polici, dikujt i ka mbaruar punë. Pra, emër për emër çdo njeri, sipas tyre ka një nder nga Altin Çomo. Kaq mjafton që sipas tyre ai të rizgjidhet sërish në krye të bashkisë.

Por askush nuk guxon të pranojë qoftë edhe një dështim apo mossukses të vetëm të tij gjatë qeverisjes 8-vjeçare. Mbështetësit e Çomos nuk dinë të thonë pse sot, njësoj si para 8 viteve Libohova ka probleme me furnizimin me ujë. Pse sot Libohova nuk ka rrugë të ndriçuara, pse sot kalaja e Libohovës është në atë gjendje që është dhe shumë probleme të tjera.

Pra, kufizohen vetëm te fakti që Çomo ka bërë ndere te njëri e te tjetri dhe kaq sipas tyre është e mjaftueshme që ai të rizgjidhet. Ai ka gjithë të drejtën e tij të rizgjidhet dhe të drejtojë Libohovën nëse qytetarët e votojnë. Por, një vend nuk mund të zhvillohet me ndere kryetarësh, cilido qoftë ai. As punësimet nuk mund të bëhen sepse duan kryetarët, cilëtdo qofshin ata. Nëse nderet janë bërë në shkelje të ligjeve dhe rregulloreve, nëse punësimet janë bërë pa meritë, s’ka vend për krenari, s’kanë përfitim publik dhe i vlejnë vetëm atyre që u janë bërë këto ndere. Për ta kuptuar këtë duhet të zhvishemi pak nga tifozllëku partiak.

Si sulmojnë mbështetësit e Çomos

Luiza Mandi ka një avantazh të madh në këtë garë. Kundërshtari i saj dhe mbështetësit e tij, nuk kanë ku ta sulmojnë, prandaj përfundojnë në ato historitë idiote me ushtarin nga Suha. Meqë kjo është me origjinë nga Suha, mendja djallëzore u thotë se edhe Mandi mund të veprojë njësoj si ai ushtari. Jemi në vitin 2015, kur bota po bëhet gjithnjë e më shumë një fshat global, këta risjellin në vëmendje histori banale që u ka dalë boja nga koha dhe për më tepër që Luiza Mandi është një mjeke që jeton e punon prej vitesh në Libohovë dhe u ka shërbyer kujtdo, qoftë edhe njëherë të vetme në jetë. Më pas mundohen të bëjnë me faj Luzia Mandin, për premtimet që s’ka mbajtur qeveria, a thua se deri më tani ajo ka patur ndonjë post në qeveri dhe duhet t’u japë llogari një më një.

Nëse duhet ndjekur kjo logjikë, do duhet që edhe Altin Çomos t’i kërkohet llogari për gënjeshtrat dhe premtimet e pambajtura të qeverisë së Berishës. Por jo, Çomo nuk mund të mbajë përgjegjësi për premtimet boshe të qeverisë se PD-së, por për premtimet e tij si kryebashkiak.

Luiza Mandi në këtë rast s’ka asnjë përgjegjësi në dështimet e Ramës dhe as meritë në sukseset e tij. Ajo lë profesionin e mjekut dhe kërkon besimin e qytetarëve, për të treguar se si mund të drejtojë Libohovën. Mandit do t’i kërkohet llogari pas 4 viteve, nëse ajo zgjidhet në krye të bashkisë. Dështimet apo sukseset e kësaj qeverie nuk mund t’i faturohen asaj. Nga ana tjetër, duke mos gjetur diçka me peshë se ku ta sulmojnë, tentojnë ta bëjnë pis edhe si mjeke.

Paturpësisht përmendin një tarifë që duhej paguar për vizitat që ajo kryente si mjeke, duke harruar që ajo tarifë prej 10 mijë lekësh të vjetra ishte përcaktuar me ligj. Në Libohovë janë të gjithë dëshmimtarë të shërbimit të Luiza Mandit si mjeke, ditë edhe natë kurdo që dikush kishte nevojë. Së fundmi zgjodhën ta sulmonin edhe me largimin e një elektriçisti nga puna, se medemek kjo kishte gisht në pushimin e tij.

Kush e njeh Beno Shehun në Libohovë, e di fare mirë që ai s’është marrë kurrë me politikë, por ka qenë gjithë kohës në profesion pa u përzier politikisht. Pushimi i tij nga puna nuk ishte as i pari, sepse edhe herë të tjera i ka ndodhur dicka e tillë, për arsye që s’kanë të bëjnë fare me bindje politike. Ai është një profesionist dhe duhet rikthyer në punë, sikundër është rikthyer sërish. Qoftë edhe sikur Beno Shehu të votojë Altin Çomon, meriton të qëndrojë në punë si profesionist. Ky parim vlen për të gjithë. Pra, me këto gjëra të vogla, duke mos pasur se ku ta sulmojnë, përkrahësit e Çomos orientojnë debatin kundër kandidates Luiza Mandi. Në fakt i dëmtuari në këtë rast nga ky debat është vetë Çomo, jo Mandi.

Po mbështetësit e Mandit?

Këta e kanë më të thjeshtë sepse kanë përpara një bilanc të qeverisjes 8-vjecare të Libohovës dhe janë protagonistë të sukseseve dhe dështimeve të Altin Çomos si kryebashkiak. Shto këtu edhe konsumin natyral nga të qëndruarit në pushtet për 8 vite rresht, përkrahësit e Mandit kanë mjatueshëm argumente për të kërkuar humbjen e tij. Nga ana tjetër ata i mëshojnë shumë faktit që Luiza Mandi është një zonjë e paprovuar në poste drejtuese, por me një model të suksesshëm si mjeke në të gjithë zonën dhe që gëzon një reputacion të mirë. Pikërisht këtë model të saj të suksesshëm si mjeke dhe humanizmin që e karakterizon, mbështetësit e saj po e promovojnë fort dhe kërkojnë votëbesim për të.

Mbetet për t’u parë ditën e zgjedhjeve se kush do të triumfojë, kandidati i provuar në qeverisje apo kandidatja e re.

Shënim/ Sulmet personale, fyerjet dhe etiketimet negative për të dy kandidatët janë të padenja. Libohova Online nuk promovon gjuhën e urrejtjes dhe dasive mes njerëze. Analiza e mësipërme dhe raportimet e shpeshta për fushatën në Libohovë tentojnë të sjellin një këndvështrim ndryshe të kësaj fushate dhe të lehtësojnë disi zgjedhjen e qytetarëve. Libohova Online promovon debatin konstruktiv mes dy kandidatëve dhe mbështetësve të tyre kudo që ai shpaloset.