Ankohen qytetarët, autobusët e Libohovës lënë pasagjerët rrugëve, kërkohet ndërhyrja e Bashkisë

Transporti me autobusë në linjën Libohovë-Gjirokastër dhe anasjelltas është një shërbim që ka pasur vazhdimisht probleme. Sot te Libohova Online kanë mbërritur disa mesazhe denoncuese nga qytetarët, të cilët janë detyruar të gjejnë forma të tjera transporti pasi autobusi nuk kishte shkuar t’i merrte. Por si është konkretisht problemi?

Në Libohovë janë tre autobusë dhe një furgon, nën të njëjtën shoqëri, që kryejnë transportin e udhëtarëve nga Libohova në Gjirokastër dhe anasjelltas. Orari i orës 16:00 nga Gjirokastra në Libohovë ka zakonisht fluskin më të madh të udhëtarëve që hipin kryesisht në fshatrat e Dropullit ku janë të punësuar.

Në ditët kur linjën e kësaj ore e mbulon furgoni, që praktikisht ka numër më të vogël vendesh, është rënë dakord të shkojë në ndihmë edhe një prej autobusëve për të mos lënë pasagjerët rrugës. Sipas mesazheve të mbërritura te Libohova Online, sot autobusi nuk ka shkuar dhe shumë prej pasagjerëve janë lënë në rrugë, pasi furgoni nuk mund t’i transportonte të gjithë.

Kjo situatë përsëritet vazhdimisht duke krijuar vështirësi në transportin e udhëtarëve. Ata kërkojnë ndërhyrjen e Bashkisë Libohovë për zgjidhjen e këtij problemi.

/Libohova Online/