Argjiro Fest-On, dëshmi e një realiteti të ri folklorik

Festivali-ne-Gjirokaster-21Mbyllet Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës, veprimtaria më e madhe kulturore shqiptare

Engjëll Serjani

Pas një jave me këngë, valle dhe rite, festivali i 10-të folklorik kombëtar, ngjarja më e madhe kulturore dhe pika më e lartë e shpalosjes së vlerave të trashëgimisë kulturore shpirtëror mbylli siparin e vet në qytetin e gurtë të Gjirokastrës që tashmë ka marrë “statusin” e përhershëm si “Meka e folklorit” për shqiptarë të Shqipërisë, të trojeve të banuara nga shqiptarët dhe të diasporës. Festivalet folklorike janë bërë pjesë e kulturës së popullit, pasi përveç vlerave të njohura të pasurisë folklorike burimore të trashëguar brez pas brezi, në skenën e madhe të kështjellës së lashtë evidentohen dëshmi të qarta të identitetit etnik shqiptar. Dy ishin risitë e këtij edicioni të Festivalit Kombëtar Folklorik që e shtriu aktivitetin e tij nga 10 deri në 16 maj: së pari, karakteri autentik i veshjeve, këngëve, valleve, riteve dhe numrave folklorikë të hulumtuar dhe të interpretuar me elegancë nga bartësit e folkut shqiptar dhe së dyti, karakteri multikulturor që e ktheu këtë veprimtari një festë të gëzueshme popullore, që ndiqej edhe nga specialistë të huaj të interesuar për kulturën folklorike.

Ky festival ishte dëshmi e përpjekjeve të specialistëve profesionistë dhe folkloristëve e gjurmuesve të pasionuar dhe përkushtuar ndaj zbulimit, interpretimit, ruajtjes dhe përcjelljes nga njeri brez te tjetri në gjetjen e krijimeve të reja të gjinive të ndryshme: legjendare, lirike dhe të eposit heroik. Sfida e këtij festivali është se në thelb të tij qëndron zhvillimi i kulturës tradicionale dhe ruajtjes së origjinalitetit, thelbit folklorik shqiptar dhe përdorimi i këtyre vlerave artistike kulturore tradicionale për zhvillimin e turizmit kulturor, që pse të mos themi ende nuk ka gjetur formën e përshtatshme, pavarësisht se ka nisma spontane të mira e fitimprurëse.

Festivali ishte dëshmi e një realitet të ri folklorik, pasi vihet re lindja dhe krijimi i dhjetëra e dhjetëra grupeve, ose “ansambleve folklorike” që u përkasin krahinave të ndryshme të vendit, ose edhe brenda një krahine apo qyteti ka disa ansamble të tilla folklorike. Një pjesë prej tyre kanë marrëveshje dhe shkëmbejnë koncerte me grupe folklorike të vendeve të tjera, kryesisht të Ballkanit, por edhe jashtë tij. Në skenën e festivalit shpalosën vlerat e trevave të tyre grupet konkurruese nga 12 qarqet e Shqipërisë, 3 grupe nga Kosova, 2 grupe nga Maqedonia dhe një nga Mali i Zi.

Çmimet e jurisë

Në përfundim të festivalit, në një mbrëmje gala organizuar në mjediset e kështjellës së lashtë, një juri ekspertësh të fushës së etnomuzikologjisë, etnografisë, etnokoreografisë dhe kostumeve popullore shpalli vlerësimet dhe çmimet për grupet konkurruese dhe interpretuesit individualë. Me çmim të parë u vlerësua grupi folklorik i Qarkut të Tiranës, me çmim të dytë grupet përfaqësuese të qarqeve Korçë e Berat dhe me çmim të tretë grupet përfaqësuese të Qarkut Lezhë dhe ai i shqiptarëve të Malit të Zi. Juria e festivalit shpalli edhe vlerësimet e saj për interpretuesit, kostumet, orkestrinat dhe grupet më të mira. Çmimi i jurisë “Rapsodi më i mirë i festivalit” iu dha Turk Mustafës nga Qarku i Shkodrës. Orkestrina më e mirë për zonën e veriut u shpall orkestrina e kombinuar e Ansamblit Mati nga Qarku i Dibrës, ndërkohë që për zonën jugore ky çmim iu dha orkestrinës së Qarkut të Korçës. Çmimi për Këngëtarin më të mirë të festivalit shkoi te këngëtarja Egzona Salaj e grupit të shqiptarëve të Malit të Zi, Valltari më i mirë u shpall Shefki Bekteshi i Ansamblit “Drita e Dervenit” Shkup, pjesëtar i grupit të shqiptarëve të Maqedonisë. Çmim special nga juria iu dha poetit dhe folkloristit të njohur nga Piluri, Lefter Çipa. Në mbrëmjen e fundit të festivalit, etnomuzikologut të njohur, Xhihan Xhihani, iu dha titulli “Nderi i Qarkut Gjirokastër”, pas vdekjes së tij të papritur në ditët e festivalit të vitit 2009.

Juria ndau edhe çmime karriere, inkurajuese dhe diploma. Çmime Karriere merituan: Guri Rokaj nga Qarku Fier, Myqerem Kupe nga Qarku Dibër, Qerim Sula nga Qarku Dibër, Refat Sulemani nga Qarku Durrës, Skënder Mustafai nga Qarku Durrës, Bylyre Jashari nga Qarku Korçë – Bylyre Jashari, Zhani Struga, Qarku Korçë, Deli Metalia nga Tropoja, Grupi i valles së burrave Kukës, Mjeshtri ti Kavallit, Salla Shabani, pjesëtar i Grupit “Strajani” Gostivar. Nuri Gjoni dhe Hysen Pere për “Bastarçja e vjetër” – Komuna Zall- Bastar Qarku Tiranë, Pal Dedgjonaj nga Qarku Lezhë, Grupi i Burrave Mirditë me “Melodi Orkestrale, Katerina Beleri dhe Vendim Kapaj nga Qarku Vlorë, Gjovalin Ndreca, instrumentist nga Qarku Lezhë, Shaqir Sinani nga Qarku Elbasan, Muharrem Mezani dhe Terezina Shtjefni nga Qarku Shkodër. Juria vlerësoi me çmime inkurajuese, Qarkun Shkodër, për tinguj burimorë me çifteli, Grupin e fëmijëve Fushë–Arës, Pukë, grupin e fëmijëve të Shoqatës Kulturore Zadrimore për “Lojë me Kullanë”, Qarku Gjirokastër – për lojën me klarinetë Igli Sadik Zeqiri, Qarku Korçë – për valle gorarçe luajtur nga grupi i fëmijëve, Qarku Kukës – Vjollca Harudhaj, Has, qarku Berat – Kërcimtarit Elsaev Sylari dhe qarku Durrës – Amelda Fasa “Riti i Bletës”, Me “Diplomë Argjiro Fest-ON 2015 u nderuan Fadil Velaj dhe Nexhije Popu në interpretimin për “Këngë Kranjane” nga mali i Zi, Sherif Dervishi, Jetmir Rexhepi, Myfterim Kupa dhe Grupi i Burrave për interpretimin e këngës “Sul Elezi” të Qarkut Dibër, SH. K. A – Jehona e Malësisë Tetovë për Kënga e Kanës, Adrian Hoxhaj, për shoqërimin me dajre nga Qarku Berat, Hanke Bajramaj si mbartëse e pasionuar e vlerave etnokulturore të zonës së Kërrabës. Paulin Përvathi për këngën  “Djali dhe Plaku” i Qarkut Lezhë, Ansambli “Rugova” – për  “Vallen e Brezave”, ansambli “Dervish Shaqa” dhe këngëtarit Jonuz Mushkalaj për interpretimin e këngës për “Mic Sokolin”, Kasem Mollosi i Qarkut Elbasan për interpretimin e këngës “Hajde more pëllumb”, grupit polifonik të Lapardhasë për interpretimin e këngës “Dërgon Gjoleka njerinë”, SH.K.A “Shote Galica”- Gent Hoxha, Drenas, Mikel Keçi për këngën “Vika Deti” nga Qarku Durrës, Bashim Beni i Qarkut Elbasan për baladën “Sa vjet shkuan s’të kam parë”, Qarkun Shkodër – për interpretimin “Endja e pëlhurës” dhe ansambli Emin Duraku – Zhur, për “Riti i verës”.

Elementët

Larmia dhe finesa e grupit të Korçës

Finesa e folkut korçar, fitues i vendit të dytë, shkëlqen te Vallja Gorarçe që ngjiti në skenën e festivaleve katër breza artistësh. Tiparet e isopolifonisë toske, vallet e kënduara, ritualet, instrumentet, krijuan një harmoni elementesh të përzgjedhura me kujdes për të dhënë më të mirën në skenë. Udhëheqësi artistik prof. Josif Minga shprehet se “në këtë festival, janë sjellë disa karakteristika të veçanta. Së pari, është realizuar një kombinim i grupmoshave të ndryshme që përcjellin mesazhin se folklori kalon nga brezi në brez, ndaj ai jeton dhe ruhet në shumë raste i paprekur edhe sot. Rasti tipik i përfaqësimit në këtë eveniment është Vallja Gorarçe, të cilën në skenë e interpretojnë 4 breza”. Nga ana tjetër, sipas prof. Mingës, vend të rëndësishëm zë përfaqësimi i pjesës më karakteristike të isopolifonisë toske. Gjithë prezantimi i grupit të Korçës mbart në vetvete një histori, që jepet përmes këngës, valles, instrumenteve, ritualit. Vallet e kënduara ishin një tjetër tipar që dallon në folklorin e kësaj zone. Vallet e grave “Do ta marr nusen korçare” dhe vallja e dados shoqëruar në gajde nga Hekuran Pere, i kanë lënë vendin këngës “Gjynahet dhe sevapet”. Një këngë me nota të forta lirike, një baladë e arrirë “Në kurbet të zi më ike natën”, është interpretuar mjeshtërisht nga Bylyre Jashari dhe Refian Maksuti. Bylyre Jashari, një artiste e rrallë, është cilësuar “Mbretëreshë e valles së kënduar”. Zëri i saj origjinal, tejet i veçantë me një dridhje karakteristike, por edhe plastika e lëvizjeve janë tipare që bien në sy gjatë prezantimit të saj në skenë. Atmosfera ka ndryshuar plotësisht me interpretimet e burrave në vallen e kënduar “Ç’deshe trëndafil këtej”. Brenda në program ka një shumëllojshmëri këngësh nga këngët e kurbetit, ritual dasme për të vijuar me këngë hidh e prit midis burrave dhe grave. Hape mbylle penxherenë/Tunde të shkretën mandile/Ditën me rroba të bardha/Natën më vishesh jeshile. Menjëherë pas këtyre këngëve të bukura lirike në skenë mbizotërojnë tingujt e klarinetës të sjellë nga mjeshtri Zhani Struga. “Rona Rona, peperona”, krijoi një emocion të veçantë e solli plot energji përmes interpretimit të grupit të fëmijëve. Një ritual tejet i veçantë që mbase është i dëshiruar edhe sot, si një lutje paqësore për më shumë bereqet. Grupi i fëmijëve i Qendrës Kulturore Bashkia Korçë është vlerësuar për interpretimin e valles korçare me çmim të parë në festivalin folklorik mbarëkombëtar të fëmijëve organizuar në nëntor të vitit të kaluar në Tiranë. Gjatë shfaqjes bie në sy lirizmi femëror, por edhe plastika e valleve të kënduara që vë në dukje një tipar të jetës shpirtërore të këtyre artistëve dhe domethënies që kanë dhe përcjellin këto elemente. Ndërsa pjesa më e madhe e kostumeve janë origjinalë. Nuk mund të lihen pa përmendur bartësit e mirëfilltë të folklorit tradicional ku dallohen në klarinetë Zhani Struga, në gajde Nexhmi Rusi dhe Hekuran Pere, në dajre Agron Nasi, në lahutë Agron Murati dhe Ylli Ibrahimi, në violinë Eraldo Feta, në bakllama Tomor Selimi  etj.

Artistët

Grupi i Beratit, bartës i polifonisë toske

Qarku i Beratit u ngjit në skenën e FFK me një ansambël të konsoliduar artistësh popullorë që vijnë nga bashkitë e Beratit, Skraparit, Kuçovës, Poliçanit dhe Urës Vajgurore. Artistët përfaqësues të këtij qarku janë zgjedhur pas një maratone të gjatë, pohon udhëheqësi artistik i këtij grupi Fatbardh Dervishi. Surpriza e këtij qarku në skenën e festivalit pa dyshim ishin fëmijët e Kozarës me vallen e tyre mikse. Korifeu i valles 10-vjeçari Elisaev Sulovari u shoqërua me duartrokitje në interpretimin e tij. Ai ngjitet për herë të parë në skenën e festivalit, por nuk është sigurisht hera e parë që ai interpreton në një skenë. “Shokët e mi të valles janë të gjithë nga Kozara, por unë jam më i vogli ndër ta”, pohon vogëlushi i cili në skenë interpreton si një artist i rritur. Qarku i Beratit solli në skenë polifoninë toske të Skraparit dhe polifoninë e kënduar me saze. Për herë të parë u ngjitën në skenë edhe meloditë me pipëza, ndërkohë që nuk munguan edhe ato me fyej. Një vend të veçantë në interpretimin e artistëve të këtij qarku zuri edhe kënga qytetare beratase. Kënga “O fort po dridhet” e ngjitur për herë të parë në skenën e festivalit erdhi përmes interpretimit të zërave të njohur tashmë në festivalet folklorike si ai i Floresha Debinjës, Dhimitër Dushit, Kujtim Babunjës dhe Petrit Berishës. E ngjitur në skenën e FFK qysh në vitin 1973, këngëtarja e njohur, Floresha Debinja, tregon se pavarësisht se gjithmonë ka kënduar këngën qytetare emocionohet gjithmonë e më shumë me interpretimin e bukur të artisteve popullorë që vijnë nga zonat e tjera të Qarkut të Beratit nga Skrapari e deri në Kozarë. Me shumë sukses interpretuan në skenë edhe fyelltari Nazif Doko dhe imituesi Shaban Duro. Kënga “Ditën e bajramit” erdhi nën interpretimin e marrëses Drita Qafoku dhe pritëses Diana Ymeri. Një nga këngët më të vjetra të paraqitura nga artistët e Qarkut të Beratit ishte “Djemtë që shkojnë nizam”, e cila të kujton mënyrën e të kënduarit të artistit të njohur, Demir Zykos. Marrësi Nesim Meno pohon se “Demirin si artist e kam pasur idhull që në moshën 15-vjeçare”. Lanë mbresa në paraqitjen e këtij qarku edhe instrumentistët popullorë mes të cilëve edhe Mehmet Topi fitues i çmimit “Laver Bariu”, si dhe klarinetistët Behar Hoxha e Idajet Shtëpenja. Në përzgjedhjen e numrave polifonikë të këtij qarku sigurisht nuk mund të mos ishin edhe vëllezërit Gëzim dhe Behar Hoxha me këngën ishin edhe këngën “sylarme”. Për herë të parë u ngjit në skenën e festivalit u ngjit nga ky qark edhe vallja e Sharalelit – Kasapçe. Fitues i vendit të dytë në FFK 2005 grupi i artistëve popullorë të Qarkut të Beratit nuk i fsheh ambiciet për një tjetër trofe në përfundim të eventit më të madh të folklorit popullor. Ashtu si edhe te Qarku i Korçës edhe te ky qark u vu re një punë serioze në drejtim të paraqitjes së numrave të përzgjedhur. Regjisori Shpëtim Dyrmishi pohon se 60 artistët e këtij qarku janë përzgjedhur mes 1250 artistëve popullorë të 5 bashkive./Shqip