ArgjiroFest 2017: Kultura shqiptare mirëpritet në Gjirokastër. Ja programi i festivalit

Festivali “Argjiro Fest” është dëshmi e përpjekjeve të specialistëve profesionistë dhe folkloristëve e gjurmuesve të pasionuar dhe përkushtuar ndaj zbulimit, interpretimit, ruajtjes dhe përcjelljes nga njeri brez te tjetri në gjetjen e krijimeve të reja të gjinive të ndryshme: legjendare, lirike dhe të eposit heroik. Sfida e këtij festivali është se në thelb të tij qëndron zhvillimi i kulturës tradicionale dhe ruajtjes së origjinalitetit, thelbit folklorik shqiptar dhe përdorimi i këtyre vlerave artistike kulturore tradicionale për zhvillimin e turizmit kulturor, që pse të mos themi ende nuk ka gjetur formën e përshtatshme, pavarësisht se ka nisma spontane të mira e fitimprurëse.

Festivali ishte dëshmi e një realitet të ri folklorik, pasi vihet re lindja dhe krijimi i dhjetëra e dhjetëra grupeve, ose “ansambleve folklorike” që u përkasin krahinave të ndryshme të vendit, ose edhe brenda një krahine apo qyteti ka disa ansamble të tilla folklorike. Një pjesë prej tyre kanë marrëveshje dhe shkëmbejnë koncerte me grupe folklorike të vendeve të tjera, kryesisht të Ballkanit, por edhe jashtë tij. Në skenën e festivalit shpalosën vlerat e trevave të tyre grupet konkurruese nga 12 qarqet e Shqipërisë, 3 grupe nga Kosova, 2 grupe nga Maqedonia dhe një nga Mali i Zi.

Këtë vit ky festival do të mbahet në qytetin e bukur të Gjirokastres, nga data 6 Tetor – 9 Tetor 2017. Hapja e madhe do të bëhet me datë 6 Tetor në orën 17:00.