Bashkia Dropull ndot lumin Drino me 15 ton plehra çdo javë, shumë fshatra nuk pastrohen fare (VIDEO)

Bashkia e Dropullit, e krijuar pas reformës territoriale, arrin të grumbullojë vëtëm 1/7 e sasisë se mbetjeve urbane. Pjesa tjetër e mbetjeve mbetet rrugëve dhe fshatrave, sepse Bashkia ka vetëm një mjet grumbullues të mbeturinave, nga 10 që do të duheshin për të krehur të gjithë zonën e bashkisë. Por edhe sasia e mbeturinave që grumbullohet, rreth 15 tonë në javë, përfundon në lumin Drino. Sheshi i grumbullimit nuk ka asnjë mirëmbajtje, ndërsa bashkia bën me dije se kanë munguar fondet për të realizuar largimin e mbetjeve nga rrjedhat ujore dhe fshatrat e largët.

“Në një të tretën e fshatrave ne nuk mund të shkojmë fare. Duhet të shikojmë në çdo përrua. Na kanë premtuar një makineri që do të na vinte nga Greqia, por pati problemet e saj. Është një shërbim që nuk e prekim aq sa duhet”, thotë nënkryetari i Bashkisë, Mihal Mano.

Bashkia e Dropullit sqaron se më shumë se 80 biznese të vendosura në të dy anët e rrugës nacionale përgjatë rrjedhës së Drinos nuk emëtojnë mbetje kimike, apo ndotje me rrezikshmëri të lartë, por mbetjet në ambalazhe dhe plastikë të këtyre bizneseve përfundojnë gjithashtu në lumë bashkë me sasinë që arrin të grumbullojë bashkia.

Zona të largëta në skajet e Dropullit, si njësia e Pogonit kanë sasi të shtresëzuara mbetjesh shumëvjeçare në të gjithë përrenjtë malorë që përkojnë edhe me atraksionet më të rralla natyrore në këtë bashki. Banorët nuk kanë patur kurrë kosha apo sheshe të miratuara depozitimi.