Bashkim Tola: Këshilltar jam nga populli, jo nga ata me dy fytyra në PS

Me 17 vota të PS-së e PD-së, Këshilli Bashkiak i Gjirokastrës i hoqi sot mandatin e këshilltarit, Bashkim Tolës, me argumentin se ka papajtueshmëri me funksionin tjetër që ai mban si drejtor i Ujësjellësit.

Duke folur në Këshill, Tola kërkoi të shtyhej për seancën tjetër vendimi për marrjen në konsideratë të mandatit të tij, ndërsa foli edhe njerëz me dy fytyra nga radhët e kolegëve të tij socialistë.

Më poshtë pjesë nga fjala e Tolës.

“Qënia këshilltar i Bashkim Tolës, pavarësisht dëshirave tuaja për përjashtimin e tij, nuk është e ardhur nga lista. Në listën e Partisë Socialiste u vendosa i fundit, mblodha votat e PS-së dhe punova për PS-në. Por këshilltar unë jam nga komuniteti gjirokastrit, jo nga ata me dy surretër këtu. Qëndrimin tim për këtë ua kam bërë me dije edhe herë tjetër. Nga fakti që kemi funksionuar me dy standarde, në këtë mbledhje unë nuk e pranoj marrjen në konsideratë të vendimit për ndërprerje të mandatit tim. Në mbledhjen tjetër pasi të jem përgatitur do të rishikoj qëndrimin tim dhe kërkoj nga ju, në këtë dyfytyrësinë tuaj, që këtë qëndrim të lemë për mbledhjen tjetër. Nëse ju nuk e pranoni, ka një shkelje juridike nga juaj sot. Këtë unë do t’ua provoj më vonë dhe këtu do jeni”.

Bashkim Tola për më shumë se një vit u emërua si drejtor Ujësjellësi nga Zamira Rami dhe Vangjel Tavo, duke u atashuar kështu me LSI-në.

Kjo u pa si një ‘prerje në besë’ nga PS-ja, e cila e kishte futur në listën e kandidatëve për anëtarë të Këshillit Bashkiak në zgjedhjet e vitit 2015. Kërkesa për ndërprerje të mandatit u bë pak muaj para zgjedhjeve të 25 qershorit.

/ArgjiroLajm.net/