Bëhen dy deputetë të Gjirokastrës që kërkojnë legalizimin e kanabisit

dashamir-kamberi-620x369Legalizimi i kanabisit mjekësor do të kishte disa avantazhe në ekonominë dhe jetën sociale të vendit, por avantazhi parësor do të ishte zgjidhja e problemit të punësimit. Kështu thotë, Dashamir Kamberi, deputet i PS-së për qarkun e Gjirokastrës. Sipas tij, kushtet e favorshme klimetarike dhe fakti se janë me mijëra hektarë tokë e pambjellë, janë avantazhe që ky vend të prodhojë dhe të bëhet i begatë, ndërsa legalizimi dhe licencimi i kontrolluar nga shteti do të reduktonte mjaft dukuri problematike të karakterit social e shoqëror

Cili është qëndrimi për nismën e legalizimit të kanabisit mjekësor?

Nisma e kolegut Kokëdhima, nuk mendoj se është kurrsesi e rastësishme, empirike, qëllim në vetvete, apo për interesa të çastit dhe vetjake. Jam i bindur se nga komunikimet e bisedat me të, kjo nismë mbart kurajo, angazhim e preokupim serioz, jo vetëm për sot, por dhe më gjatë në kohë, më të mundimshëm se ç’duket, me rreze të gjerë njohjeje, analizë gjykimi, definicionesh dhe veçanërisht për produktivitetin e saj, në të mirë të vendit dhe të shoqërisë. Tej komentit, publicitetit e konformizmit, me pluset dhe minuset e veta në analizë dhe bilanc të fundit, kjo nismë për legalizimin e kanabisit mjekësor, meriton të përkrahet, të mbështet për të hedhur hapa të tjerë përpara dhe çelur rrugën e ligjshme dhe vetëm të ligjshëm të saj.

Cilat mendoni se do të ishin avantazhet në rast të legalizimit të kanabisit mjekësor?

Mendoj se avantazhet janë disa, por unë do të veçoja prej tyre, problemin e punësimit. Shkalla e papunësisë në vendin tonë është e ndjeshme prej vitesh të tëra. Kudo në qytet e në fshat ka mijëra të papunë. Ndrryshe nga disa vite më parë, numri i të emigruarve ka ardhur në rënie, pasi një pjesë e tyre janë duke u kthyer prej andej, por dhe prirja për të emigruar rishtaz është më e vogël, për shkak të kushteve të vështira ekonomike dhe mundësive më të pakta për punë në vendet ku kanë emigruar. Mjaft qytete, qendra punëtore dhe fshatra, janë mbushur me të rinj, por edhe me moshën e mesme, të papunë. Po ju sjell një fakt mjaft domethënës nga komunikimi me elektoratin e qarkut Gjirokaster, ku jam edhe deputet. Ndodh që gjatë ditës komunikojnë në telefon apo mesazhe 40 banorë nga qarku apo rrethi. Është e sigurtë që afro 35 prej tyre të marrin vetëm për punësim.

Mendoni për një moment se cilat do të ishin mundësitë reale të punësimit në një qytet si Memaliaj? Unë mendoj që punësimin nuk mund ta zgjidhë kurrë dhe kurrë administrata, por thënë me gjuhën e së vërtetës, as investimet në sektorin publik, as edhe tërë puna në sistemin privat. Këto të marra së bashku, duke mbajtur parasysh edhe rritjen ekonomike të parashikuar e zbusin, por nuk e zgjidhin këtë problem. Prandaj i shoh si avantazh real mundësitë më të mëdha për punësim me legalizimin e kanabisit mjekësor. Së dyti: Në të gjithë vendin ka mijëra hektarë tokë të pambjellë, të pashfrytëzuar, por dhe njëkohësisht një pjesë tjetër që punohet, efektiviteti i kulturave që kultivohen është shumë i ulët. Kjo tokë, në një mënyrë apo tjetër është thuajse e vdekur pasi nuk prodhon, por dhe nuk rigjeneron vetveten. E tërë kjo përbën një avantazh tjetër të mundshëm për kanabisin. Po ti shtosh edhe kushtet mjaft të favorshme klimaterike të vendit tonë, rriten mundësitë që kjo tokë dhe ky vend të prodhojë dhe të bëhet më i begatë. Së treti: Pas dhënies fund të mundësive ligjore të kultivimit dhe të trafikimit të paligjshëm, të legalizimit dhe të licencimit të kontrolluar nga shteti, krijohen kushte për të reduktuar, kufizuar e mpakur mjaft dukuri problematike të karakterit social e shoqëror, që rrjedhin dhe janë derivate të këtij trafiku.

Mazhoranca e sotme ka premtuar shëndetësi falas. Mund të ishte kjo një alternativë për tësiguruar fondet e nevojshme për të garantuar shërbim shëndetësor falas për çdo kategori?

Nuk marr përsipër të përgjigjem apo të shpreh mendimin e mazhorancës. Ai mund të jetë shumë më i plotë, i ndryshëm dhe une obligohem të jem pjesë e saj në përbërje, në alternativën që do të ofrojë edhe në vendimmarjen përfundimtare. Një shtet dhe vend i fuqishëm, me një ekonomi më të fortë e të begatë mund t’i destinojë burimet e veta financiare në disa drejtime e fusha, pse jo edhe të alternativës për shërbim shëndetësor falas, të infrastukturës ne vend dhe veçanërisht të rrugëve, ujësjellsave, të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale, në zonat rurale etj. Këto të fundit mund t’i lidhësh edhe me mundësinë e rritjes së prodhimit të kanabisit mjekësor në zona, krahina e rajone të vendit tonë.

Tashmë një pjesë e vendeve të Europës, por edhe më gjerë e kanë vënë në zbatim këtënismë. A është momenti qe edhe ne të marrim në konsideratë këtë eksperiencëndërkombëtare?

Rruga jonë drejt Europës, rruga e integrimit, tashmë nuk është thjeshtë një slogan, por një realitet i pakthyeshëm. Teksa jemi në këtë rrugë, nuk ka arsye ta shohim ndryshe çështjen e legalizimit të kanabisit mjekësor, ndryshe nga vetë Europa, ndryshe nga eksperiencat ndërkombëtare. Shpejt a vonë kjo një ditë do të ndodhë. Ndaj në këtë proces është e rëndësishme të mos humbasim kohë, në diskutimet pa bukë, për “shkaqe dhe arsye”, të cilat mund të na mbajnë mbrapa, ende gjatë.

Si mendoni se do të shihej vënia në zbatim e një nisme të tillë?

Në vijmë nga një e kaluar, nga një e djeshme, pse jo herë-herë dhe sot me mjaft tabu, “mollë të ndalume”, herezi etj, por njëkohësisht duhet pranuar e pohuar se, nga dita në ditë bashkë me emancipimin e gjithanshëm shoqëror, ato janë në rënie në mënyrë të ndjeshme, dhe rënia rrugën e ka kreshendo. ˆKoha e gogolëveˆ është në perëndim të plotë. E megjithatë nuk ka arsye të mendohet se rruga është e shtruar me kadife, e gjithçka do të jetë rozë dhe vetëm rozë. Kurrsesi jo. Edhe në këtë çështje, ecuria dhe zhvillimi, gjatë gjithë procesit deri në vendimarrje, do të ketë të kundërtat e veta. Mentaliteti, vështirësitë, mungesa e përvojës, interesat, por edhe politika do të bëjnë punën e tyre. Sidoqoftë unë besoj, se një pjesë e mirë e shqiptarëve do ta shohin shpejt me optimizëm çështjen e kanabisit mjekësor, do të ndihmojnë e do të mbështesin, do të japin miratimin e tyre në opinion dhe në vendimmarrje. Në mbyllje më lejoni të sjell një shprehje të Tomas Xhefersonit, nga një libër i botuar kohët e fundit në Tiranë: “Shërbimi më i madh që mund t’i bëhet një kombi, është të shtosh një bimë të dobishme në kulturën e tij”.

Alaska legalizon kanabisin për përdorim vetjak

Tymosja, kultivimi dhe posedimi i kanabisit nuk janë më të jashtëligjshme në shtetin e Alaskës, pasi ligji për kanabisin hyri në fuqi ditën e djeshme, pas 40 vjet përpjekjesh dhe betejash juridike. Në këtë mënyrë, Alaska bëhet shteti i tretë që legalizon kanabisin në SHBA. Prej kohësh të majtët demokratë, luftonin për legalizimin e kanabisit në Alaskë, por kanë hasur gjithmonë kundërshtitë e republikanëve. Qytetarët e Alaskës iu drejtuan kutive të votimin në nëntorin e shkuar për referendumin e kanabisit dhe 53 % e tyre ishin pro legalizimit të tij. Që nga nëntori dhe deri ditën e djeshme, ligjvënësit janë marrë me rregullimin e legjislacionit. Gjithsesi, edhe pse është legalizuar, kanabisi në Alaskë ndalohet të konsumohet në mjedise publike. Gjithashtu, ligji e përcakton se që të konsumosh kanabis, duhet të jesh mbi 21 vjeç. Ligjvënësit kanë vënë edhe kufizime lidhur me sasinë e kanabisit që çdo person mund të mbajë me vete.

Kështu, nuk lejohet që qytetarët të mbajnë me vete më shumë se dy qeska me kanabis. A mund ta kultivojnë vetë njerëzit? Edhe në Alaskë, ashtu sikurse në Kolorado, të rriturit lejohen që ta kultivojnë vetë kanabisit në shtëpitë e tyre, nëse i kanë kushtet. Ligji e përcakton se çdo qytetar mund të rritë deri në tre rrënjë bimësh. Në Oregon, limiti i bimëve të kanabisit në kultivimin shtëpiak është katër, por kjo për çdo person të rritur që është pjesë e familjes. Kështu, nëse në një familje ka tre persona të rritur, atëherë ata mund të rritin deri 12 rrënjë. A mund ta shpërndash kanabisin? Për shpërndarjen ligji përcakton se lejohet t’u japësh në formë dhurate njerëzve të tjerë vetëm një qeskë me kanabis, por ndalon rreptësisht marrjen mbrapsht të parave.

Po kështu, i njëjti ligj funksionon edhe në shtetet e tjera që e kanë legalizuar, si Kolorado dhe Oregoni. Këto ligje janë unifikuar mes shteteve, me shpresën që kur çështja të shkojë për legalizimin federal, pra në të gjithë SHBA-të, të ketë përputhje të legjislacioneve nga shteti në shtet lidhur me kanabisin, kultivimin dhe konsumimin e tij. Vitin e ardhshëm do të diskutohet lidhur me taksimin dhe formimin e një tregu lidhur me shitjen e kanabisit në Alaskë. Deri tani, shitja është e ndaluar. Pra ti mund vetëm ta kultivosh dhe konsumosh vetë./Shekulli