“Bie” një tjetër drejtor i LSI-së, shkarkohet Krenar Kulla

Drejtori i Spitalit Rajonal “Omer Nishani” në Gjirokastër është shkarkuar nga detyra.

Burime të ArgjiroLajm.net thonë se shkresa e shkarkimit të Krenar Kullës ka mbërritur nga Ministria e Shëndetësisë.

Në vend të tij është komanduar mjeku kardiolog, Përparim Muço. Arsyet e këtij shkarkimi nuk dihen ende, por me siguri vjen për shkak të përfshirjes në fushatën elektorale të LSI-së.

Kujtojmë që Kulla është kryetari i LSI-së në Gjirokastër.

Që pas marrëveshjes Rama-Basha, ministrat teknikë të propozuar nga PD-ja kanë shkarkuar dhjetra funksionarë publikë që janë përfshirë në fushatë, pjesa më e madhe e të cilëve vijnë nga radhët e LSI-së.

Mbetet për t’u parë nëse në javën e fundit të fushatës do të ketë shkarkime të tjera në Gjirokastër. LSI ka ashpërsuar tonet ndaj Ramës dhe Bashës, pas marrëveshjes që ata bënë, marrëveshje që rrezikon seriozisht LSI-në. Nesër në Gjirokastër LSI organizon takimin e madh të fushatës, ku do të jetë i pranishëm edhe Ilir Meta.

/ArgjiroLajm.net/