Buxheti i ri, Flamur Golemi tregon investimet që përfiton Gjirokastra

Një ditë pas miratimit në Kuvend të Buxhetit të vitit 2018, deputeti i PS-së në Gjirokastër, Flamur Golemi, thotë se ky buxhet përbën hapin e parë për ndërtimin e Shqipërisë që duam.

Sipas tij për Gjirokastrën do të vazhdojë të ketë investime nga qeveria, siç ka patur edhe gjatë mandatit të parë qeverisës. Në shënimin e tij të postuar në Facebook, ai veçon investimin në rrugën Kardhiq-Delvinë dhe më pas disa investime të tjera në spitalin e ‘Omer Nishani’ dhe poliklinikat e Gjirokastrës. Ja çfarë shkruan Golemi.

“Miratimi në parim i Buxhetit të vitit 2018 është hapi i parë për ndërtimin e Shqipërisë që duam dhe jetësimit të zotimeve tona si mazhorancë. Njësoj si gjatë mandatit tonë të parë, ku investuam miliona euro në Gjirokastër, aq sa nuk kishte ndodhur kurrë në të shkuarën , që me buxhetin e vitit të ri do të ketë disa investime të rëndësishme. Veçoj këtu ndërtimin e rrugës Kardhiq-Delvinë, segment që do t’i japë një dimension tjetër zhvillimit të turizmit, ekonomisë dhe tregtisë në jug të vendit. Në spitalin ‘Omer Nishani’ do të instalohen pajisje të reja biomjekësore. Gjithashtu do të investojmë në poliklinikat e Gjirokastrës disa qindra mijëra euro në kuadër të projektit të ‘5 Poliklinikave’. Ndërkohë brenda paketës ‘1 miliard për rindërtim’ janë gjithashtu edhe disa rrugë te tjera rurale të qarkut Gjirokastër, të cilat na çojnë në zonat me potencial turistik. Buxheti i vitit 2018 sjell stimuj të shumtë për ekonominë lokale dhe kombëtare të vendit”