Çertifikohen mjeshtrat e trashëgimisë, shumë prej tyre nga Gjirokastra. Kumbaro: Nuk mjafton vetëm dashuria për ta mbajtur trashëgiminë, duhet dija dhe profesionalizmi

131 persona janë çertifikuar sot si mjeshtra dhe ndihmës mjeshtra në fushën e trashëgimisë kulturore, pas një trajnimi gjashtë mujor për aftësim në punimin e gurit, drurit, hekurit dhe suvasë. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, tha se ky program trajnimi dhe studimet Master Profesional në Restaurim që tashmë funksion prej vitesh, janë dëshmia më e mirë se trashëgimia kulturore është prioritet dhe ka një treg pune në këtë sektor.

“Nëse monumentet e kulturës, kalatë, kalldrëmet e banesat janë sot në këmbë, nuk janë as falë ministrit që vete e vjen, as falë ambasadorëve që venë e vijnë, as falë shoqatave, por janë falë njerëzve që jetojnë aty, në Berat, Korçë, Gjirokastër. Unë ju jam shumë mirënjohëse. Nuk mjafton vetëm dashuria për ta mbajtur trashëgiminë, duhet dija, duhet profesionalizmi dhe sigurisht financimet. Nuk mbahet trashëgimia as po të kesh shumë para, as me vendime administrative. Duhen njerëzit të cilët dinë të punojnë gurin, hekurin, drurin, dinë të ruajnë kalanë. Këtu vijmë tek mjeshtëria e trashëgimisë kulturore, në restaurim dhe mirëmbajtje. Çelësi i suksesit në trashëgimi është mirëmbajtja, njësoj si një amvisë e mirë që mirëmban shtëpinë”, u shpreh Kumbaro.

Sipas ministres kampuset rajonale të restaurimit, duke u zhvilluar në terren sjellin përfitime edhe për vetë monumentet.

“Në këtë program ne jemi në rrugën e duhur, për të përforcuar mjeshtrat që dinë ta bëjnë këtë punë. Ne u kërkojmë mjeshtrave që dijen e tyre ta përcjellin, në mënyrë që të mos krijohet më boshllëku i madh që u krijua në dekadat e fundit tek mjeshtëria”, tha Kumbaro.

Programi “Aftësi për punësimin e së nesërmes u zbatua nga fondacioni Trashëgimia Kulturore pa Kufij në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Institutin e Monumenteve të Kulturës, Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Drejtoritë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Berat, Gjirokastër dhe Korçë si dhe Drejtoritë Rajonale të Formimit Profesional Publik në Gjirokastër dhe Korçë dhe shkollës profesionale ‘Stiliano Bandilli’ në Berat. Projekti u nga Ministria e Ekonomisë, Energjitikës, Transportit dhe Zhvillimit Rajonal në Landin e Hessen-it, Gjermani dhe SIDA.