Çfarë fshihet pas shkarkimit të Florian Hysit nga Zyra e Pasurive të Paluajtshme?

38550_1341068574481_344152_nMinistri i Drejtësisë Ylli Manjani ka shkarkuar sot nga detyra kreun e Hipotekës në Gjirokastër, Florian Hysi, ish-kryetar i degës lokale të PS-së. Zyrtarisht Manjani jep tre arsye që çuan në shkarkimin e Hysit.

– Mosrepektimin e afateve për trajtimin dhe dhënien e sëhrbimit të kërkuar nga qytetarët;

– Mungesë të theksuar në administrimin e funksionit publik;

– Performancë e ulët gjatë ushtrimit të detyrës.

Por ndoshta arsyet duhen kërkuar diku tjetër.

Së pari mund të jetë kallëzimi  në prokurori që Kontrolli i Lartë i Shtetit i bëri kreut të Hipotekës një muaj më parë për tjetërsim të trojeve në pronësi të Bashkisë së Gjirokastrës dhe shtetit. Ndonëse Hysi e kishte mohuar duke u shprehur se lajmi i publikuar më 18 qershor 2016 nuk kishte lidhje me të. Në njoftimin e KLSH thuhej ndër të tjera se “Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzoi në Prokurori regjistruesin e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Gjirokastër F.H, specialistin hartograf E.B dhe 3 ish-specialistët e ZVRPP Gjirokastër K.J, A.ZH dhe J.A më akuzën e shpërdorimit të detyrës”.

Por shkak për shkarkimin e Hysit mund të jetë bënë edhe ndonjë përplasje në nivel lokal me përfaqësues të LSI-së, kryebashkiaken Zamira Rami apo deputetin Vangjel Tavo. Kujtojmë që një përplasje e tillë para disa kohësh, me insistimin e LSI-së solli edhe shkarkimin e  drejtorit të Radio Televizionit Gjirokastra, Piro Nase dhe zëvendësimin e tij me Albana Allushajn.

Pas shkarkimit të Hysit nuk dihet ende kush do të emërohet në krye të Hipotekës Gjirokastër. Gjasat janë që sërish kjo drejtori t’i mbetet PS-së, sidoqoftë duhet pritur në ditët e ardhshme për të mësuar më shumë.

Më poshtë reaporti i plotë i KLSH-së për Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Gjirokastër.

Në përfundim të auditimit, KLSH ka kryer kallëzim penal për Regjistruesin e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Gjirokastër F.H., specialistin hartograf E.B. dhe 3 ish-specialistët e ZVRPP Gjirokastër K.J., A.ZH. dhe J.A, të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave ligjore, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, duke i përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse.

Ndër shkeljet kryesore përmendim:

  1. Në 6 raste janë regjistruar 1294 m2 sipërfaqe trualli më tepër nga ajo e përcaktuar sipas listës së trojeve dhe janë lëshuar certifikata pronësie mbi këto sipërfaqe.
  2. Në 4 raste, janë kryer veprime tjetërsimi nëpërmjet transaksioneve mbi këto pasuri, si shitje, pjesëtim pasurie dhe regjistrim dëshmi trashëgimie.
  3. Është shkaktuar dëm ekonomik ndaj Bashkisë Gjirokastër dhe Buxhetit të Shtetit në vlerën 16,048,170 lekë, si qera e munguar nga përdorimi i jashtëligjshëm e pa titull pronësie të trojeve, nga të cilat 15,467,670 lekë për përdorimin e paligjshëm të 585.9 m2 truall në pronësi të Bashkisë Gjirokastër dhe 572,400 lekë për përdorimin e paligjshëm të 143.1 m2 truall në pronësi të shtetit.
  4. Është refuzuar pa bazë ligjore regjistrimi i pasurive të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, në kundërshtim me Ligjin nr. 10058, datë 22.01.2009 “Për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kryegjyshatës Botërore Bektashiane për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella”.
  5. Nuk ka një evidencë dhe nuk njihet e raportohet gjendja e pasurive të regjistruara me mbivendosje, mungojnë hartat e pasurive të identifikuara me mbivendosje dhe për pasojë është lejuar regjistrimi me mbivendosje në favor të personave të tretë të 40 pasurive me sipërfaqe totale 17100,9 m2 të llojit truall dhe ndërtesa, pasuri në pronësi të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, kthyer në VKKP nr. 134, datë 13.3.2008.
  6. Në 109 raste nuk është veçuar dhe regjistruar “shtet” sipërfaqja prej 52.849 m2 dhe nuk janë kryer veprime në Kartelat e Pasurive të Paluajtshme, ndërsa në 110 raste me sipërfaqe totale 20.503 m2, janë kryer veprime me pasojë tjetërsime të sipërfaqeve.
  7. Konstatohet performancë e ulët në administrimin e praktikave, të cilat për një periudhë 5 vjeçare arrijnë mbi 3287 praktikadhe për të cilat ZVRPP, ndonëse ka arkëtuar nga qytetarët rreth 9.9 milion lekë, ende nuk iu ka ofruar atyre shërbimin e kërkuar, me pasojë mungesë transparence ndaj publikut.
  8. Konstatohet mungesë bashkëpunimi ndërmjet ZVRPP dhe Komisionit Vendor të Verifikimit të Titujve të Pronësisë, që ka sjellë si pasojë nivele të ulëta të regjistrimit të pasurive bujqësore, pranimin e dokumentacionit dhe regjistrimin e pasurive të paluajtshme me të meta dhe mangësi.

Shkeljet e konstatuara më sipër janë në kundërshtim me përcaktimet ligjore e nënligjore të bëra në Ligjin nr. 33/2012, datë 29.04.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, Ligjin nr. 8752, datë 26.3.2001 “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për Administrimin dhe Mbrojtjen e Tokës”, Ligjin nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, Ligjin Nr. 9154, datë 06.11.2003 “Për arkivat” dhe Rregulloren nr. 207, datë 11.06.2007 “Për arkivimin e dokumenteve tekniko-ligjore në ZVRPP”.