Çifti i të moshuarve në Bulo ende në errësirë, OSHEE: Nuk paguajnë prej 7 vitesh!

Dy të moshuar në fshatin Bulo në Gjirokastër përballen prej rreth dy vitesh me errësirën për shkak të ndërprerjes së energjisë si pasojë e faturave të papaguara.

Edhe pse 84 vjeçari Duro Zenaj pohon se i ka kryer pagesat e faturave të energjisë ai rezulton debitor në OSHEE. Gjendja e vështirë ekonomike e dy të moshuarve invalidë e bën të pamundur shlyerjen e kësaj debie që shkon në rreth 2 milion lekë të vjetra, duke i detyruar ata të jetojnë në errësirë.

Edhe pse nënë e 11 fëmijëve 76- vjecarja pohon për News 24  se sot ka mbetur fillikat, pa asnjë ndihmë e përkrahje, në gjendje të vështirë shëndetësore dhe ekonomike. Ndërkohë nga ana tjetër OSHEE Gjirokastër thotë se familja është debitore që prej vitit 2010, madje për këtë është shprehur edhe Prokuroria e Gjirokastrës, duke hedhur poshtë pretendimet për mbifaturim të kësaj familje.