“Çmendet” Flamur Golemi, selfie nga salla e operacionit: Pacientët kanë më shumë prioritet se fushata

Kandidati për deputet i Partisë Socialiste në qarkun Gjirokastër, Flamur Golemi, kësaj radhe befason me një “selfie” nga salla e operacionit me një paciente të quajtur Violeta.

Siç ai shkruan në faqen e tij në Facebook, pacientët kanë më shumë prioritet sesa takimet elektorale, duke shtuar se me të njëjtin përkushtim që i shërben njerëzve si mjek, do t’i shërbejë edhe si deputet pas 18 qershorit.

“Takimet për fushatën elektorale presin, por jo pacientët që kërkojnë mjekim. Ata janë më të rëndësishëm se çdo angazhim tjetër, prandaj nuk përtoj asnjëherë t’i gjendem pranë sa herë kanë nevojë për mua. Operacioni me Violetën doli shkëlqyer dhe brenda pak ditësh do të rikuperohet plotësisht. Me të njëjtin përkushtim dhe gatishmëri që kam ndaj pacientëve, do të jem edhe pas 18 qershorit si deputet i qarkut Gjirokastër. Unë e shikoj politikën si mjet për t’i shërbyer njerëzve. Me këtë parim jam nisur që në ditët e para të angazhimit tim në PS dhe do të vazhdoj të besoj kështu. Siç kam qenë dhe mbetem mjeku i të gjithëve, do jem gjithashtu edhe deputeti i të gjithëve. Radhët e mbështetësve shtohen dita-ditës. Bashkë do të shënojmë një fitore historike më 18 qershorit”, shkruan Golemi.

/Libohova Online/