Çuçi në Gjirokastër: Bashkëqeverisja u kthye në mundësi për të rrjepur sa më shumë

Drejtuesi politik i qarkut Gjirokastër, Bledi Çuçi zhvilloi takim me banorë të lagjes “18 Shtatori” në Gjirokastër, një lagje e cila është kthyer në një kantier ndërtimi, ndërsa po vijon puna për rehabilitimin e fasadave falë projektit të qeverisë shqiptare për Rilindjen Urbane. Falë kësaj ndërhyrje pritet që vlera e pronës në këtë lagje të rritet me 30%.

Kandidati për deputet Bledi Çuçi ndërsa iu drejtua banorëve, e vuri theksin pikërisht tek transformimi që po pëson kjo lagje falë vëmendjes që po i kushton qeveria me projektet e saj.

“Shikoni çfarë po bëjmë me pjesën e re të qytetit.  E them e “re” në thonjëza, se është ku e ku larg për nga estetika urbane me pjesën e vjetër. Megjithatë ne po rehabilitojmë dhe ky shesh është nje shembull i qartë, në mënyrë që ta harmonizojmë sa më shumë, sepse do jetë edhe kjo pjesë e Gjirokastrës së re që do ndërtojmë mbi Gjirokastrën e vjetër”, u shpreh Çuçi.

Çuçi iu drejtua banorëve me kërkesën për një votë të pastër për PS, që i jep fund problemeve që sjell bashkëqeverisja, përfshirë ndarjen në partiza të administratës. Ai tha se çdo votë që nuk shkon për PS, është votë për të shkuarën.

“Ajo që ne pamë në 44 muaj qeverisje në fakt nuk ishte ajo që do dëshironim të ishte, një bashkëqeverisje  ku ne do kontribuonin secili për të mirën e Shqipërisë, por u kthye në një mundësi për të rrjepur sa më shumë  dhe për ta parë qeverisjen si një tepsi ku secili merrte dhe hante pjesën e tij. Prapë arritëm të bëjmë reforma transformuese për Shqipërinë. Nëse na jepni mandatin që të qeverisim vetëm, me në krye Edi Ramën, do të ndjeni 5-fish fuqinë transformuese të qeverisë socialiste”, theksoi ai.

Gjatë ditës Çuçi zhvilloi një takim me punonjës së sistemit të shëndetësisë në Gjirokastër. Çuçi renditi disa nga reformat që janë realizuar në këtë sistem, veçanërisht ulja e çmimit të barnave, që lehtëson direkt xhepat e pacientëve.

“Mund t’ju them se sa e ka vuajtur në kurriz Ministri i Shëndetësisë, reformën në fushën e ilaçeve. T’i biesh ndesh një lobi që jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë është një nga lobet me të fuqishëm financiar sot, më besoni nuk është e lehtë. Por ne treguam vendosmëri dhe sot kemi një realitet që gjen në treg ilaçe 30 përqind me ulët se në 2013-ën”, u shpreh Çuçi.

Ai u ndal më tej edhe tek pajisjet mjekësore:  “Janë 100 mijë instrumente të operacionit sot, të reja moderne, që operohet në gjithë botën. 100 mijë, që t’i krahasosh me instrumentet e një viti apo dy vitesh, është si të krahasosh Kamzën me Los Anxheles, se është një ndryshim kolosal.  Ne kemi demostruar që mbetemi të vendosur deri në fund që ta bëjmë Shqipërinë dhe të shkëputemi  përfundimisht nga ky tranzicion që na  ka stërmunduar të gjithëve”, nënvizoi ai.

Kandidati për deputet, njëherësh mjek në profesion, Flamur Golemi  u shpreh:”Ajo çfarë do përfaqësohet nesër në parlament, pikërisht si pjesë e këtij komuniteti, është për t’i shërbyer qytetarëve të këtij rajoni, patjetër do jetë edhe një zë i fortë, i gjithë neve sot, i gjithë këtij komuniteti që jemi mbledhur sot”.

Dilaver Stroka mjek : “Unë diskutoj në fshat. Ky është nje sukses i madh. Kalimi në falas është një e ardhme shumë e mirë për ta”.

Çuçi zhvilloi gjithashtu një takim me përfaqësues të Shoqatës së Invalidëve Parapelegjikëve dhe Tetraplegjikëve ne Gjirokastër.  Kryetarja e kësaj shoqate znj.Vjollca Koko ngriti në këtë takim mungesën e infrastrukturës që lehtëson lëvizjen e personave me aftësi të kufizuar në rrugë.

“Kemi segmente të tëra, ishuj të tëra me trotuar që mua nuk më lejojnë që ta shfytëzoj”, theksoi ajo.

Përballë këtij shqetësimi Çuçi theksoi se kjo problematikë do të ngrihet në mbledhjen e Këshillit Bashkiak nga këshilltarët e PS.

“Ne si PS, këtë shqetësim, të premtoj, do e ngremë që në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bahskiak. Do i kërkojmë llogari, do ngrëmë një grup pune, dhe këtu dua edhe kontributin e shoqatës. Të evidentohen të gjitha institucionet publike, dhe më tej do kalojmë edhe ke privati, dhe të nxjerrim kush nuk e ka zbatuar ligjin. Ndaj ne e bëmë ligjin dhe ligji është me sanksion dhe nuk është dispozitë e bardhë. Që të paguajë gjobën.

Për pjesën e Bashkisë, çfarë ka bashkia, do e nisim presionin që tek institucioni i Bashkisë me Këshillin Bashkiak, instrumentin politik që ne kemi në dorë” , tha ai.