Dëgjesa publike për projektin e qendrës së Libohovës, Kumbaro: E lumtur që ia dolëm mbanë, mbështetje me investime të tjera

Projekti për rivitalizimin e qendrës së Libohovës është prezantuar sërish sonte, përpara se të nisë zbatimi i tij. Në dëgjesën publike të organizuar nga Bashkia Libohovë merrte pjesë edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, ajo vlereësoi projektin, i cili pritet t’i japë Libohovës një tjetër pamje.

Jam e lumtur që arritëm në realizimin e  këtij projekti pas shumë investimeve të tjera të bëra në infrastrukturë. Përmend këtu rrugën e Bulos, rrugën e Labovës, Kishën etj. Krahas projekteve dhe investimeve të tjera që i kam ndjekur nga afër, ky ishte në fakt një projekt ambizioz që e meritonte patjetër vëmendjen e qeverisë prandaj dhe ne e mbështetëm”, u shpreh Kumbaro përpara libohovitëve të pranishëm në qendrën e kulturës.

Ndërsa kryebashkiakja Luiza Mandi sqaroi më me detaje pjesë të projektit, si dhe iu përgjigj shqetësimeve të ndryshme të qytetarëve.

Projekti nuk ka vetëm pjesën e fasadave apo pjesën e jashtme, por përfshin gjithashtu komplet ndërhyrjen në kanalet e ujërave të bardha e të zeza”, u shpreh Mandi.

Projekti për rivitalizimin e qendrës së Libohovës kap një vlerë prej rreth 1.5 miliard lekë. Ai është pjesë e programit qeveritar “Rilindja Urbane”, program prej të cilit kanë përfituar shumë qytete të tjera.

/Libohova Online/