Dënohet me 1.8 vite burg Spiro Ksera, ish-ministri mungoi në seancën e fundit

spiro-kseraGjykata e Tiranës ka marrë sot vendimin për ish-ministrin e Punës, Spiro Ksera, i cili akuzohet për “vjedhje e shpërdorim detyre. Trupi gjykues i kryesuar nga Sokol Pashaj, dënoi me 2.6 vite burg ish-ministrin, por për shkak të gjykimit të shkurtuar ky dënim ulet në 1.8 vite burg.
Nga gjykimi i shkurtuar ka përfituar ulje të dënimit edhe vartësi i Kserës, Artevis Mene, i cili nga 15 muaj burgim, do të bëjë 10 muaj burg.
Për Elda Kozaj dhe Elisabeta Dodbibaj, Gjykata ka vendosur punë të detyruar, dhe për dy vite ato do të jenë në shërbim prove.
Ish-ministri Ksera dhe 6 vartës të tij akuzohen se duke shpërdoruar detyrën dhe duke falsifikuar dokumentet kanë vjedhur një shumë prej 30 milionë lekësh, fond i cili ishte deklaruar se ishte përdorur për një sërë aktivitetesh sociale, për shtresa të ndryshme në nevojë në vitin 2013.

Sipas prokurorisë, zyrtarët nëpërmjet montazhit të videove dhe fotove i kanë deklaruar si të kryera këto aktivitete, të cilat në fakt nuk janë zhvilluar asnjëherë.
Ksera nuk ka qenë i pranishëm në këtë gjykatë, por ka qenë avokati i tij, i cili është shprehur se ky vendim ka prapavijë politike. Avokati Gjokutaj tha se do të apelojë vendimin, duke kërkuar pafajësinë e Kserës.