Dështon takimi për “Bypass-in” e Gjirokastrës, qytetarët kundër organizatorëve

Takimi i thirrur sot në Gjirokastër nga Forumi për Mbrojtjen e Vlerave të Gjirokastrës, ku do të diskutohej për projektin e “Bypass-it”, ka dështuar me sukses, duke vërtetuar atë që ArgjiroLajm.net raportoi një ditë më parë se mbajtja ndezur e këtij debati është thjesht për interesa politike të PD-së dhe LSI-së, thjesht për të sulmuar Mirela Kumbaron, e cila me gjasë do të jetë kandidate për deputete e PS-së. Në takim mungonte kreu i forumit, Prof.Agim Mero, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe shumë anëtarë të tjerë të këtij forumi.

“Nuk e kuptoj ç’doni ju këtu, kur ne e kemi sqaruar me ministren e Kulturës, e cila tha se projekti nuk bëhet dhe se do të kërkohen zgjidhje alternative”, është shprehur inxhinier Pilo Dhami dhe Llazi Papazisi, të dy banorë të lagjes së vjetër që preket nga projekti.

Më tej Pilo Dhami ka ngritur pikëpyetje mbi përgjegjësinë e hartimit të këtij projekti, pasi është Bashkia e Gjirokastrës ajo që ka kërkuar dhe hartuar akt – projektimin e këtij bypass-i të shumëpërfolur.

E pranishme në takim ishte edhe kryebashkiakja e Gjirokastrës, Zamira Rami, ndonëse nuk e mori fjalën të fliste për të shprehur qëndrimin e institucionit që ajo drejton.

Si për ta kompletuar më tej fabulën e këtij takimi të stisur, ku më shumë kishte gazetarë sesa qytetarë, në fund u lexua edhe një deklaratë e parapërgatitur plot pasaktësi rreth projektit të “Bypass-it”, deklaratë që u kundërshtua prej përfaqësueses së Ministrisë së Kulturës.

/ArgjiroLajm.net/