Dolën të kontrollonin për kanabis, izolohen në humnerë dy policë

Dy policë të komisariatit të Tepelenës kanë mbetur të bllokuar në humnerat mes Progonatit dhe Nivicës.

Nga se bëhet e ditur paraprakisht, ata kishin dalë që prej mëngjesit të ditës së djeshme për të kontrolluar territorin.

Por duket se ata kanë mbetur të bllokuar në një zonë që nuk kanë mundësi që ta dalin prej aty, dhe kështu kanë kërkuar ndihmën e kolegëve të tyre.

Ende nuk dihet gjendja e tyre shëndetësore, ndërsa pritet që në drejtim të tyre të shkohet në ndihmë.

Do të jetë një helikopter nga Tirana, i cili do të niset për të bërë të mundur nxjerrjen e shefit të rendit Roland Zhapa dhe inspektorit të zonës, të cilët janë bllokuar në humnerat e Progonatit në njësinë administrative Kurvelesh.

Zona në të cilën kanë mbetur të bllokuar policët njihet si terren i vështirë dhe zonë e izoluar.

Po ashtu, në këtë zonë ka pasur shumë raste të kultivimit të drogës.

Mendohet se ata të kenë dalë për të kontrolluar këtë zonë nëse ka raste të kultivimit të drogës, pas angazhimit të policisë kundër kultivimit të lëndëve narkotike.

Më herët, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka paralajmëruar luftë të ashpër kundër drogës, si dhe është shprehur se do të ndëshkohen të gjithë ata punonjës policie që tolerojnë këtë fenomen.