Dyshimet për pavlefshmëri të votimit/ Vendimi në dorë të prefektit Astrit Aliaj

Një ditë më parë PD dhe LSI bashkuan votat në Këshillin Bashkiak të Gjirokastrës për të shkarkuar Roland Karalliun dhe emëruar si kryetare të Këshillit, Mimoza Çomon. Po kështu u shkarkuan dhe u emëruan dy nënkryetarë të tjerë të këtij këshilli. Në votim morën pjesë 16 këshilltarë, aq sa ka aktualisht PD dhe LSI, ndërsa PS-ja ka 15 këshilltarë. Ndonëse deri më tani vendimi nuk e ka marrë ende miratimin e Prefektit për të hyrë në fuqi, ka zëra që flasin se mund të jemi përballë një rasti kur votimi i djeshëm të konsiderohet i pavlefshëm. Kjo mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në ditët e ardhshme. Ndërkohë ArgjiroLajm.net verifikon ligjin për Pushtetin Vendor dhe në mënyrë të veçantë pjesën ku rregullohet zgjedhja e Kryetarit të Këshillit Bashkiak. Në nenin 52 të këtij ligji, pika 1, paragrafi (a), thuhet se:

Anëtari i këshillit bashkiak nuk përfshihet në një procedurë shqyrtimi dhe vendimmarrëse në rastet kur ka një interes personal të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen në shqyrtim’.

Në këtë rast, Mimoza Çomo, e cila u zgjodh si kryetare këshilli, ka konflikt ineresi dhe rrjedhimisht nuk duhej të përfshihej në procesin e votimit. Pra, nuk mund të votonte për vetën e saj si kandidate për kreun e Këshillit Bashkiak Gjirokastër. Por faktikisht ajo ka marrë pjesë në votim sepse vetëm në këtë mënyrë mund të bëhej shumica e votave, 16 të tilla. Kjo sipas interpretimit të këtij neni e bën të pavlefshëm votimin e djeshëm në Këshillin Bashkiak. Sidoqoftë mbetet për t’u parë nëse prefekti i Gjirokastrës, Astrit Aliaj do ta miratojë këtë vendim apo do ta rikthejë sërish për rishqyrtim në Këshillin Bashkiak. Deri më tani s’ka një reagim zyrtar për këtë cështje as nga PS-ja, as nga të shkarkuarit dhe as nga prefekti i qarkut.

©ArgjiroLajm.net