Emërimi i Bimes në postin e Prefektit, “Zëri i Amerikës” kritikon Ramën

image1Pas intervistës me pyetje të “forta” ndaj kryeparlamentarit Ilir Meta, “Zëri i Amerikës” së fundmi merret me prefektët e emëruar së fundmi nga kryeministri Edi Rama. Është fjala për Flamur Bimen dhe Fadil Nasufin. Lexoni më poshtë cfarë shkruhet për ish-kryebashkiakët e Gjirokastrës dhe Beratit.

Në Gjirokastër, një padi për ndërtime të paligjshme, e ngritur në fillim të vitit nga Inspektorati Kombëtar i Ndërtimit të Territorit, ndaj ish kryetarit të atëhershëm të bashkisë Flamur Bime, është ende në pritje për t’u marrë në shqyrtim nga Gjykata.

Ish-zyrtari i lartë, që ndodhet tashmë nën akuzë nga një agjenci qeveritare, emërohet ndërkohë në postin e lartë të Prefektit të qarkut nga kryeministri Edi Rama.

Në të njejtën ditë, më 14 Tetor, Kryeministri Rama emëron edhe një Prefekt tjetër, atë të Beratit, Fadil Nasufi, i cili, ashtu si zoti Bime, ka qënë më parë kryetar bashkie. Të dy zyrtarët e lartë, duhet të zbatojnë përparësitë e qeverisë Rama për pushtetin vendor.

Një prej këtyre përparësive është kontrolli i territorit nga ndërtimet e paligjshme. Në të dy këto qytete, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, ka patur ndërtime të shumta pa leje, aq sa në vitin 2012, Qendra e Trashëgimisë Botërore dërgon një mision monitorues në Gjirokastër dhe Berat, dhe në një raport dërguar autoriteteve shqiptare në vitin 2013, ngre shqetësimin se “përmasat e ndërtimeve pa leje në të dy qytetet janë alarmante”.

Raporti vinte në dukje se në qendrën historike të Gjirokastrës, 68 ndërtime pa leje ishin krejtësisht të reja. Në Berat, raporti identifikonte, po në zonën muze “një listë prej 38 ndërtimesh të reja, të aprovuar, bashkë me një listë të re ndërtimesh që duhet të aprovohej për tre vitet e ardhshme.” Për shkak të situatës kritike, UNESCO shqyrtoi mundësinë e përfshirjes së dy qyteteve në listën e saj të objekteve borërore të rrezikuara.

Në Berat, Inspektorati i Ndërtimit ka filluar ditët e fundit prishjen e dhjetra ndërtimeve të paligjshme, të cilat “lulëzuan” në të shumtën e herës, në kohën kur kjo bashki, drejtohej për 12 vjet nga zoti Nasufi.

Në Gjirokastër, në shkurt të këtij viti Inspektoriati  denoncoi  zotin Bime, për kohën kur drejtonte KRRT e këtij qyteti, për ndërtimin e një pallati 7 katësh, sipas Inspektoratit, në kundërshtim me legjislacionin shqiptar.

Sipas konstatimit të vetë inspektoriatit   “Leja ishte dhënë me afat për një vit, në vitin 2009, por më pas në kundërshtim me çdo të dhënë urbanistike dhe të ligjeve ishte lejuar edhe një shtesë prej 5 katesh”.   Në përgjigje të akt-padisë, zoti Bime kishte reaguar duke e vlerësuar procesin të rregullt dhe në mbështetje të akteve ligjore.

Denoncimi për zotin Bime, nga një agjensi në varësi të qeverisë, ishte bërë në shkurt të këtij viti,  koha kur formacionet politike sapo kishin nisur përcaktimin e emrave të kantidatëve për kryetar të Bashkive dhe zoti Bime kishte shfaqur hapur ambicien për një mandat të katërt.

Si zoti Bime, edhe zoti Nasufi, nuk u rikandiduan për në bashki, madje gjatë vizitave që kryeministri Rama bërë në këto qytete në atë kohë, ai dha mesazhe që nuk i përkrahte dy zyrtarët si kandidatë për zgjedhjet e 23 qershorit. Në Gjirokastër në një ceremoni publike nuk kishte pranuar të shtrëngonte duart me kryetarin Bime, ndërsa në Berat, gjatë një ceremonie publike, zoti Rama, zgjodhi t’ia kalonte zëvendësit të tij Niko Peleshi, një medalje mirënjohje që Bashkia kishte vendosur t’ja jepte atij. Më vonë, gjatë fushatës zoti Rama u shpreh se kryebashkiaku i Beratit ishte një njeri që “nuk mbajti mëri për moskandidimin”. Por në atë kohë u përfol se zotit Nasufi i ishte premtuar pikërisht posti i Prefektit të ardhshëm.

Dhe pas disa muajsh që vendet e prefektit kishin mbetur bosh, në to u emëruan, pikërisht ish kryetarët e bashkive.  Mos-emërimi i prefektëve të rinj për periudhën  e gjatë kohore  nga Maji në Tetor,  ishte   një praktikë  e pandeshur më parë nga qeveritë në Shqipëri, pasi posti i prefektit   është një post kyç për përgjegjësi  të rëndësishme shtetërore në nivel rajonal./voa