Fakulteti Ekonomik në Gjirokastër me ‘shtëpi’ të re, nis rikonstruksioni i ambienteve te ish Shtëpia e Ushtarakëve (FOTO)

Universiteti ‘Eqrem Çabej’ në Gjirokastër ka nisur një investim tek ish Shtëpia e Ushtarakëve, e cila i është dhënë në përdorim me vendim qeverie që prej vitit 2011. Pritet që brenda disa muajsh të rikonstruktohet kati i dytë i kësaj godine, ku do të ketë auditorë dhe klasa të reja për studentët, si dhe zyra për stafin akademik. Ky investim i vjen në ndihmë qindra studentëve, kryesisht të Fakultetit Ekonomik, që prej vitesh e zhvillojnë mësimin pasdite, për shkak të mungesës së ambienteve.

Rikonstruksioni i kësaj godine, vjen në një kohë kur ka edhe pretendime nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Gjirokastër, e cila kërkon të zhvendosë këtu shërbimet për qytetarët. Pak kohë më parë një pjesë e kësaj godine iu dha në përdorim Qendrës së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA).

Rikonstruksioni që ka nisur në katin e dytë, ndonëse shumë i vonuar në kohë, po kryhet me të ardhurat e universitetit. Krahas aspektit praktik që ka, pasi eleminon zhvillimin e mësimit me dy turne, duket se është edhe një lëvizje taktike për të mos lejuar më tej ‘parcelizimin’ e këtij objekti në qendër të lagjes ’18 Shtatori’, që siç e thamë më sipër i është dhënë në përdorim Universitetit ‘Eqrem Çabej’ në vitin 2011.

©ArgjiroLajm.net