Falimenton e vetmja fermë e derrave në Gjirokastër. Shkak mungesa e një thertoreje të licencuar

Nga Brikena Metaj
Një fermë derrash në fshatin “Andon Poçi” në Gjirokastër shkoi drejt falimentimit si pasojë e mungesës së një pike therjeje. Apostol Hanxhara, pronari i kësaj ferme, e vetmja në jug të vendit, tregon se prej 17 vitesh kishte ngritur këtë biznes familjar që kishte rezultuar i suksesshëm, deri në momentin kur ligji përcaktonte se therja e kafshëve duhej të kryhej pranë thertoreve të licencuara. Problemet për këtë fermë nisësh pikërisht në këtë moment, pasi në rajonin jugor nuk ka një linjë therjeje për derrat, ndërsa pika më e afërt e therjes për këto kafshë tejkalonte çdolloj kostoje. Në këto kushte, familja Hanxhara u detyrua të mbyllë aktivitetin disavjeçar, ndërsa fëmijët e tij t’i rikthehen emigrimit.
Mungesa e politikave mbështetëse për fermerët duket se po sjell falimentimin e tyre. Aktualisht në qarkun e Gjirokastrës ka vetëm një thertore të licencuar, që ndodhet në Gjirokastër. Kjo ka shtuar kostot e fermerëve të rretheve të tjera të qarkut, ndërsa vetë thertorja nuk disponon linja therjeje për të gjitha llojet e kafshëve të destinuara për konsum mishi. Ferma e derrave në “Andon Poçi”, e vetmja fermë e mbarështimit të kësaj kafshe në jug të vendit, prej Fierit në Sarandë, furnizonte me mish të gjithë rajonin jugor. Sot ajo ka falimentuar, ndërsa mishi i derrit që konsumohet në këto qytete është kryesisht mish importi.