Festivali Folklorik i Gjirokastrës, takime me grupet e punës

144Përgatitjet për Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës kanë hyrë në një fazë të re dhe në të gjithë vendin, pas ekspeditave dhe hulumtimeve në terren, janë përcaktuar datat e organizimit të koncerteve folklorike zonale në nivel komune, bashkie dhe rrethi sipas zonave etnografike.

Grupet e specialistëve të trashëgimisë kulturore të Ministrisë së Kulturës dhe të Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike kanë organizuar takime me grupet e punës në të gjitha qarqet, kanë bërë vlerësime për ecurinë e fazës së parë të përgatitjeve dhe kanë dhënë orientime për përmbylljen e fazës së dytë që lidhet me përzgjedhjen e grupeve dhe pjesëve folklorike më të mira.

“Faza e parë përgatitore ka gjetur vlerësimin maksimal nga administrata e qarqeve, qendrat kulturore të komunave dhe bashkive, grupet folklorike dhe shoqatat kulturore. Gjatë kësaj faze, krahas ngritjes së grupeve të punës në strukturat e qeverisjes vendore, komunë, bashki dhe qark me specialistë të trashëgimisë kulturore, folkloristë dhe etnomuzikologë, janë bërë ekspedita përzgjedhëse të repertorit të mundshëm muzikor, poetik, koreografik dhe ritualeve dhe në shumë zona kanë nisur provat dhe koncertet e para selektuese”, është shprehur Meri Kumbe, drejtuese e Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike.

Sidomos muajt e fundit të vitit 2014 dhe javët e para të vitit 2015 janë shoqëruar me një varg veprimtarish folklorike të iniciuara nga vetë strukturat e qeverisjes vendore, qendrat kulturore dhe shoqatat kulturore artistike, veprimtari të cilat kanë nxitur interesin e bartësve të folklorit dhe i kanë vënë ato në lëvizje për një përgatitje dinjitoze për të shkuar me gjetje të reja në ngjarjen më të madhe të kulturës dhe trashëgimisë kombëtare në Shqipëri, Kosovë dhe në të gjitha trevat e banuara me shqiptarë.

Në këtë kuadër janë zhvilluar me shumë sukses disa festivale tipologjike dhe burimore si Festivali Folklorik Mbarëkombëtar i Fëmijëve në Tiranë, Takimi i Polifonisë në Vranisht të Vlorës, Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Këngës Qytetare në Elbasan, Festivali Folklorik “Sofra Tironse”, Festivali Folklorik Ballkanik në Gjirokastër, festivali “Oda Dibrane” në Peshkopi, Festivali i Këngës Epike në Burrel, etj.

Kryetari i Këshillit të Qarkut të Kukësit, Ipsen Elezi, thotë se përgatitjet kanë qenë të gjithanshme dhe tre grupe pune me ekspertë të njohur të folklorit në Has, Tropojë dhe Kukës kanë përzgjedhur grupet më të mira dhe pas koncerteve prezantuese në shkallë rrethi me grupet më të mira dhe të përzgjedhura do të organizohet një koncert i përbashkët, ku ekspertët do të vazhdojnë përzgjedhjen sipas kritereve shkencore për të përcaktuar përfundimisht grupin e përfaqësimit.

Puna përgatitore në fazën e parë të saj nxori në pah shumë vlera folklorike të thesarit të trashëgimisë kulturore të përcjellë me dashuri e respekt nga njëri brez te tjetri, vlera të cilat ekspertët e folklorit i mbajnë sekret për të befasuar dhe për të konkurruar fort në skenën e madhe të kalasë së Gjirokastrës./Ata