Festivali Folklorik, rehabilitohen kalldrëmet dhe skena në Kalanë e Gjirokastrës

jl;jkNë kuadër të zhvillimit të Festivalit Folklorik Kombëtar Gjirokastër 2015, kanë nisur dje punimet restauruese të skenës, ndriçimit, mureve dhe elementeve të tjera në kështjellën e qytetit. Mungesa e zhvillimit të këtij festivali prej vitit 2009 kishte sjellë degradim të këtyre elementeve. Gjatë vizitës së sotshme të ministres së Kulturës Mirela Kumbaro, në Gjirokastër, janë përcaktuar detyrat mes institucioneve për një mbarëvajtje sa më të mirë të këtij aktiviteti, i cili do të zhvillohet prej datës 10-16 maj. “Ky nuk është një spektakël 5-ditor, por një vlerë e trashëgimisë kulturore, që zhvillohet në një monument kulture të trashëgimisë”, është shprehur ministrja. 

Sipas ministres Kumbaro, fondi prej 24 milionë lekësh do të shërbejnë për rehabilitimin e skenës së festivalit, restaurim të mureve, kalldrëmit në hyrje të kështjellës dhe disa elementeve të tjera. Festivali i Gjirokastrës, që do të zhvillohet në kështjellë, është një risjellje e një trashëgimie shpirtërore e kjo jo vetëm për shqiptarët e vendit, por edhe Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe diasporës. Janë këta bartës të folklorit, që do të prezantojnë e promovojnë në këtë festival vlerat më të mira burimore, të cilat përçohen në shekuj. Në lidhje me përzgjedhjen e grupeve dhe kontestimeve që kanë pasur disa prej tyre për mospërfaqësim në këtë aktivitet folkloristik të rëndësishëm mbarëkombëtar, ministrja Kumbaro ka thënë se përzgjedhja e grupeve ku aktualisht po vijojnë përgatitjet dhe provat në 12 qarqet e vendit, është realizuar nga një grup specialistësh të folklorit, kostumeve, muzikologë etj.

Kjo përzgjedhje, sipas saj, ka ardhur pas disa seleksionimeve që janë bërë pas performancës dhe interpretimeve që kanë sjellë në të 12 qarqet e vendit. Edhe për dy grupet polifonike gjirokastrite, për të cilat ka pasur ankesa, “Obelisk” dhe “Argjiro”, është komunikuar se do të jenë pjesë e këtij festivali. Festivali Folklorik Kombëtar, për herë të parë është mbajtur në 1963 në Kalanë e qytetit të gurtë. Ai rikthehet pas një ndërprerjeje 6-vjeçare.