Flamur Golemi: Ju tregoj përse i duhet mandati i deputetit një mjeku si unë

Nga Flamur Golemi

Dëshiroj ta nis këtë fjalë përshëndetëse me një falenderim për të gjithë ju që jeni këtu të pranishëm, por edhe për shumë të tjerë që i shtohen dita-ditës radhës së mbështetësve tanë. Gjirokastra dhe gjithë zona përreth më njeh deri më tani si doktor Flamur Golemi dhe gjithashtu si kryetari i Partisë Socialiste prej gati një viti. Besoj fort se pas 18 qershorit do jem sigurisht edhe deputeti tuaj.

Të jem i sinqertë me ju, nuk hezitova fare të pranoja propozimin për të kandiduar, por kjo s’ka të bëj thjesht me ndonjë ambicje personale për të qenë me patjetër deputet. Unë e shikoj këtë angazhim si një përgjegjësi më të lartë, që të jep mundësinë të bësh më shumë për qytetin tënd, të jep mundësinë të ndikosh më shumë për të ndryshuar jetën e qytetarëve. Ku më tepër sesa në Parlament ti mund të çosh zërin dhe të adresosh çështje apo probleme që shqetësojnë Gjirokastrën, Tepelenën, Përmetin dhe çdo bashki tjetër të qarkut tonë.

Miqtë e mi, dëshiroj të jem fare i sinqertë dhe i hapur me ju. Nuk dua të zgjidhem deputet thjesht dhe vetëm për ta patur këtë status, thjesht dhe vetëm për karrierë. Unë kam një profesion të mirë, për të cilin kam punuar dhe investuar shumë nga vetja. Jetoj e punoj me familjen në Gjirokastër dhe mund të them se kam një jetë të realizuar. Por besoj se kjo nuk është gjithçka. Bëjmë gabim nëse e mendojmë jetën tonë nga pragu e brenda. Kemi shumë çështje dhe problematika të përbashkëta këtu në Gjirokastër, të cilat duhet të zgjidhen në të mirë të interesit publik. Prandaj unë jam sot në këtë garë, për të dhënë kontributin tim si qytetar e profesionist i angazhuar, për të dhënë kontributin tim si deputet i ardhshëm i Gjirokastrës.

Për gjithë këto vite në këtë qytet kam arritur të ndërtoj një model pune si mjek, duke i shërbyer të gjithëve në çdo kohë dhe pa asnjë dallim. Ju garantoj se sipas këtij modeli do t’ju shërbej të gjithëve edhe si deputet i ardhshëm Parlamentit. Unë do të jem një deputet i të gjithëve, qofshin të majtë, të djathtë apo të paparti fare. Njësoj si mjek që nuk i kam diferencuar kurrë pacientët, edhe pas 18 qershorit do të jem pranë çdo qytetari të Gjirokastrës dhe gjithë qarkut tonë pa asnjë dallim.

Në përfundim dua t’ju siguroj edhe për diçka tjetër, të cilën e konsideroj shumë të rëndësishme. Flamur Golemi nuk ka për të qenë një deputet “part time” apo me kohë kohë të pjesshme në Gjirokastër. Nuk do të marr mandatin e deputetit dhe pastaj të largohem drejt kryeqytetit. Jeta ime profesionale dhe familjare do të vazhdoj të jetë e lidhur ngushtësisht me Gjirokastrën.

Mandati i deputetit më shton përgjegjësinë për t’u angazhuar më shumë për Gjirokastrën që duam, për Shqipërinë që duam. Në 18 qershor, ju kërkoj veç besim, besim me votë për Partinë Socialiste dhe Edi Ramën Kryeministër. Çdo alternativë tjetër na kthen pas. Faleminderit për vëmendjen dhe për mbështetjen që i jepni ekit fantastik të Partisë Socialiste për qarkun Gjirokastër.

Ju përshëndes!