Flamur Golemi: Raporti i ministrave të PD-së s’ka vlerë. ‘Vulën’ për zgjedhjet e vë OSBE/ODIHR

Deputeti i Partisë Socialiste në Gjirokastër, Flamur Golemi, ka reaguar pas publikimit të raportit të ministrave teknikë të PD-së. Golemi thotë se ky raport i duhet vetëm PD-së.

“Raporti i publikuar një ditë më parë nga ministrat teknikë, nuk është kurrsesi një dokument serioz apo i besueshëm. Ai i shërben vetëm lojës politike të PD-së dhe aspak angazhimit të përbashkët në marrëveshjen e 18 Majit. Ajo që thuhej në këtë raport, përfshi edhe pjesën për Gjirokastrën, nuk e zbeh dot aspak fitoren historike të Partisë Socialiste në 25 Qershor. Vetëm në qarkun tonë, ne fituam me mbi 2 mijë vota më shumë sesa në zgjedhjet e kaluara. Këto ishin zgjedhjet më të mira që Shqipëria ka zhvilluar ndonjëherë. I vetmi raport i vlefshëm për zgjedhjet, është ai i OSBE/ODIHR”, shprehet Golemi.

Në raportin e publikuar një ditë më parë, ministrat teknikë të PD-së thonin ndër të tjera se edhe në qarkun Gjirokastër ishin angazhuar ‘grupe të njohura kriminale në mbështetje të partive të mazhoracnës’.