Flamur Golemi sulmon Tritan Shehun: Gjirokastra s’ka nevojë për deputetë që presin të dalin në pension (VIDEO)

Kandidati për deputet i PS-së në Gjirokastër, Flamur Golemi ka postuar në faqen e tij në Facebook takimin elektoral të radhës në lagjen “Dunavat”.

Ndërkohë ai shkruan se Gjirokastra s’ka kohë për të humbur duke bërë eksperimente me kandidatë të stërprovuar dhe as me kandidatë që duan karrigen e deputetit sa për të dalë në pension, duke iu referuar kështu Tritan Shehut.

“Njësoj siç kam qenë mjeku i të gjithëve, ashtu do të jem deputeti i të gjithëve pas 25 qershorit. Gjirokastra nuk mund të bëj eksperimente me deputetë të stërprovuar e që sot dalin sërish kërkojnë vota duke mos mbajtur përgjegjësi për çfarë ka ndodhur. Gjirokastra s’ka vota për kandidatët që duan karrigen e deputetit për të shtyrë vitet derisa të dalin në pension. Çdo votë për partitë e tjera është votë e çuar dëm, është një mundësi e shpërdoruar. Asnjë zgjedhje tjetër veç PS-së. Faleminderit “Dunavati” për mbështetjen”, shkruan Golemi.