Flamur Golemi takim në Labovë: Asnjë votë për telefonin e prishur dhe çadrën, PS qeveris e vetme

Takimi i radhës i kandidatit për deputet në Gjirokastër, Flamur Golemi ishte në fshatin Labovë.

Ai është pritur nga banorët e fshatit, mes të cilëve edhe mësuesi i tij i parë, i cili siç shihet nga pamjet që ka publikuar vetë Golemi, ka mbajtur edhe një fjalë në mbështetje të ish-nxënësit të tij.

Golemi ka thënë se e shikon politikën si mjet për t’i dhënë zgjidhje problemeve tona të përbashkëta, ndërsa nuk kanë munguar as kësaj here sulmet ndaj Vangjel Tavos.

Më poshtë postimi i tij i plotë dhe video nga takimi.

“Shqipëria s’ka më kohë për të humbur as me çadrën e dëshpërimit dhe as me telefonin e prishur të deputetit “call centre”, prandaj në 25 qershor votojmë Partinë Socialiste me Edi Ramën Kryeministër. Faleminderit banorëve të Labovës për mikpritjen dhe mbështetjen. Ky ishte një takim i veçantë për mua. Mes atyre që më pritën ishte edhe mësuesi im i klasës së parë, i cili tregoi jo pak ‘sekrete’ nga koha kur unë isha ende fëmijë. Miqtë e mi, asnjë votë mos shpërdoroni për parti të tjera, për kandidatë që kanë 20 vjet të lidhur pas karriges së deputetit dhe ende sillen sikur kanë dalë për herë të parë në skenën politike. Unë do të bëhem deputet jo për t’u bërë politikan e as për të qëndruar për një kohë të gjatë në Kuvend. Unë e shikoj politikën si mjet për të zgjidhur problemet tona të përbashkëta, prandaj kërkoj besimin tuaj me votë në 25 qershor”