Frika nga kanabisi, shtohen qentë antidrogë në Kakavijë

Masat antikanabis blindojnë pikat kufitare në vend ndërsa nga java e ardhshme Policia e Shtetit do të shtojë qentë antidrogë dhe efektivët e policisë kufitare.
Me një urdhër të brendshëm të drejtorit të Policisë Haki Cako është vendosur që çdo mjet transporti mallrash dhe autobus të kalojë në skaner në pikat kufitare Durrës, Kakavijë e Kapshticë. Masat antikanabis prekin dhe automjetet e transportit personal,  ku veturat që qarkullojnë me itinerar hyrës apo dalës nga Shqipëria do t’i nënshtrohen kontrollit me qen antidrogë dhe kamer sinjalizuese për drogën në sebratorët e karburantit. Sipas urdhrit, janë 10 qenë antidrogë që i shtohen policisë kufitare e kryesisht do të përqendrohen në portin e Durrësit, kufirin me Greqinë dhe Malin e Zi. Këto masa,  sipas urdhrit të drejtorit Haki Cako vijnë në prag dhe të sezonit turistik ku pritet që policia kufitare të përballet me një fluks të shtuar lëvizjesh si në mjete, qytetar dhe turist.

Prej më shumë se një jave, fluksi i sasive të narkotikëve të sekuestruara në pikat kufitare është ulur ndjeshëm ndërsa Policia e Shtetit e kontaktuar nga Report Tv sqaron se kjo gjendje kontrolli e konsideruar niveli i kuq do të vazhdojë deri në muajin shtator.  Përveç qenve antidrogë,  Policia Kufitare ka nisur dhe përdorimin e pajisjeve të dhuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për monitorimin me motor 4 x 4 të kufirit të gjelbër dhe mjeteve lundruese përfshi skafe, anije peshkimi dhe jahtet. Një ditë më parë ka qenë vetë drejtori i përgjithshëm Haki Cako i cili gjatë prezantimit të drejtorit të ri të kufirit Aida Hajnaj ka kërkuar nga vartësit e tij respektimin e këtyre masave.