Fundjava sjell rritjen e temperaturave

sun_sky_1Temperaturat e ulëta dhe moti i ftohtë do të vazhdojnë të jenë prezent përgjatë gjithë javës në vendin tonë. Ndërkohë që datat 5 deri në 7 janar janë cilësuar nga meteorologët edhe si ditët më të ftohta. Por, sipas sinoptikanëve kjo situatë pritet të ndryshojë disi gjatë fundjavës, ku do të ketë një rritje të temperaturave si në vlerat minimale ashtu edhe në ato maksimale.

“Fillimi i javës do të shënojë edhe ditët më të ftohta që kemi përjetuar gjatë kësaj periudhe të dimrit që kemi kaluar. Ndërkohë gjatë fundjavës pritet që të kemi një përmirësim të kushteve atmosferike, pikërisht të rritjes së temperaturave kryesisht në vlera maksimale” pohojnë meteorologët. Por ulja e temperaturave sidomos gjatë orëve të natës ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve në disa zona. Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar situata gjatë orëve të mbrëmjes së të hënës paraqitet ndryshe nga ajo e paradites, pasi gjatë orëve të natës janë shtuar ngricat për shkak të uljes së temperaturave në akse të caktuara.

Sipas këtij institucioni në Tiranë duhet pasur kujdes në zonën e Dajtit pasi në rrugë krijohen ngrica, kurse Durrësi nuk paraqet asnjë problem përveçse trafikut të rënduar. Në qarkun e Korçës po vazhdon puna për hedhjen e kripës në ato akse ku ka prezence të ngricave. Qarkullimi gjatë ditës së djeshme u krye pa zinxhirë, por në orët e mbrëmjes, nga temperaturat e ulëta ka segmente rrugore ku formohen ngrica. Prandaj rekomandohet që mjetet të jenë të pajisur me zinxhirë. Ndërkohë në Kukës është bërë pastrimi i rrugëve, spërkatja me kripë dhe skorje.

Disa akse qarkullohen pa zinxhirë. Në akset K.Domaj-Draj Reç dhe Bajram Curri-Kam ka prani ngricash. Në aksin Bajram Curri – Qafë Morinë, ka ngrica në rrugë nga ererat e forta dhe temperaturave të ulëta. Qarkullimi rekomandohet të bëhet me zinxhirë në këto akse: Bajram Curri-Kam dhe K.Domaj – Draj Reç(Rruga e Rinisë), për shkak të temperaturave shumë të ulëta dhe ngricave në rrugë. Qarkullimi në aksin Bajram Curri – Qafë Morinë rekomandohet të kryhet me zinxhirë. Po kështu edhe në segmentin Ostren i Vogël-Stebleve, në aksin Qafë Bualli-Kraste, dhe në segmentet Muhurr-Qafe Drajdhe Sllovë-Kalaja e Dodës në qarkun e Dibrës./A1 report