Fushëbardhës i mbyllin shkollën, nxënësit bëjnë 18 km rrugë për shkollën më të afërt

Këtë vit të ri mësimor, 9 fëmijë nga fshati Fushëbardhë në Gjirokastër duhet të përshkojnë plot 18 kilometra për të shkuar në shkollën më të afërt. Kjo pasi në muajin shtator të këtij viti, shkolla 9 vjeçare “Karafil Bello” ku nxënësit mësonin më parë, u mbyll pasi nuk plotësonte kapacitetin e përcaktuar të nxënësve.

Në një prononcim ekskluziv për “Gazeta Shqiptare” prindërit shprehen tejet të shqetësuar në lidhje me këtë situatë. I pyetur nga “GSH”, babai i vogëlushit 9 vjeçar, Hektor Mullai tregon se shpenzimet e rrugës nuk mund t’i përballojnë pasi janë të papunë. “Djali im po torturohet që prej fillimit të këtij viti shkollor. Për shkak se shkolla në fshatin Fushëbardhë u mbyll, i duhet të bëjë çdo ditë 18 kilometra për t’u arsimuar në shkollën “Bilal Golemi”, pranë Urës së Kardhiqit. Ikën që në orën 7:00 të mëngjesit e kthehet në orën 3:00 të pasdites dhe i duhet mbi 1 orë për të marrë veten e për t’u qetësuar”,- tregon babai i fëmijës në klasën e dytë.

Ai, gjithashtu, thekson se çdo ditë duhet të paguajë 100 lekë të rinj për të mbuluar shpenzimet e rrugës. “Ka raste që i shoqërojmë deri te dera e shkollës, por shpesh edhe nuk kemi mundësi. Jemi në merak gjithë kohës pasi e kemi djalin kilometra larg e është shumë i vogël për ta përballuar i vetëm gjithë këtë rrugë”,- tregon Mullai i shqetësuar. Janë plot 9 fëmijë që për të ndjekur arsimin e detyrueshëm, duhet të udhëtojnë 18 kilometra e shpenzimet për transportin deri tani mbulohen nga vetë familjet. Por në VKM e posaçme për sistemin e arsimit parauniversitar theksohet krejtësisht ndryshe.

“Në dispozitat normative për sistemin e arsimit parauniversitar neni 6, pika 5 thotë se për nxënësit e shkollave 9- vjeçare, nëse shkolla është më shumë se 5 kilometra larg, shteti është i detyruar që nxënësit t’i mbajë në konvikt, pra, nëse nuk ka konvikt duhet t’iu sigurojë transportin”,-thotë avokate Margarita Kola për “GSH”.

Respektivisht, 3 vogëlushë janë në shkollën fillore e për ta shqetësimi i prindërve është edhe më i madh. “Sipas ligjit një nxënës i shkollës fillore nuk mund të bëjë më shumë se 5 kilometra rrugë për të shkuar në shkollën më të afërt, kurse fëmija im bën 18 kilometra. Jam shumë në merak pasi djali im është në klasën e parë dhe për moshën që ka është e rrezikshme të bëjë gjithë këtë rrugë vetëm. Gjithashtu, edhe infrastruktura e rrugës për shkak të amortizimit, vende-vende është në gjendje jo të mirë dhe kjo i shkakton tronditje tim biri”,- tregon nëna e 7-vjeçarit. Ndërkohë prindërit kërkojnë nga instancat përkatëse që të paktën të vihet në dispozicion një makinë për fëmijët në mënyrë që të jenë më të sigurt si dhe të mbulohen shpenzimet e rrugës.

Ndërkaq, Moisi Muho, një prej anëtarëve të Pleqësisë së fshatit Fushbardhë i pyetur nga “GSH”, në lidhje më çështjen tregon se në fillim të vitit shkollor 2017-2018 kryesia e fshatit ka bërë një kërkesë pranë DAR-it në Gjirokastër. “Në fillim, që vendosën të mbyllnin shkollën “Karafil Bello”, ne, si kryesi e fshatit Fushëbardhë bëmë një ankesë pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale të Gjirokastrës që shkolla të vazhdonte të funksiononte. Por për shkak se nuk plotësohej numri i nxënësve e mbyllën. Nuk e di sesi do të shkojë më tej situata”,-thotë Muho.