Fytyra e humbjes së PD-së në Gjirokastër. Tritan Shehu t’i dorëzojë mandatin Roland Bejkos

Partia Demokratike është renditur forcë e tretë në qarkun Gjirokastër si asnjëherë më parë. Ajo ka marrë 11 mijë e 273 vota. I vetmi deputet që çoi në Kuvend është kryesuesi i listës së demokratëve, Tritan Shehu. Deri më tani nuk ka ende një reagim prej tij, qoftë edhe falenderues për elektoratin e djathtë.

Nuk dihet se si do ta justifikojë Shehu këtë rezultat, por patjetër që humbja dramatike e PD-së lidhet ngushtësisht edhe me emrin e tij. Ai është një figurë e vjetëruar politikisht që nuk frymëzonte as besnikët e PD-së, jo më elekoratin gri apo të pavendosurit.

Vendosja e tij në listë ishte një zgjedhje e gabuar e Lulzim Bashës, siç ishin në fakt shumë zgjedhje të tjera të tij në këto lista. Një deputet si Tritan Shehu në prag të pensionit, nuk i duhet më as dreqit, jo më t’i nevojitet Gjirokastrës dhe Partisë Demokatike. Thjesht Lul Basha, mbase me ndërhyrjen e Ilir Metës siç flitet nën zë, i gjeti një punë të re Tritan Shehut para se të dalë në pension.

Ndoshta do të ishte në nderin e tij që ta dorëzonte mandatin dhe t’i linte vendin Roland Bejkos, i cili është përpjekur shumë këto tre vjet të ringrejë PD-në në Gjirokastër, me gjithë kulisat dhe terrenin e vështirë që gjeti. Tritan bëhu burrë, dorëzo mandatin dhe liroi vendin Roland Bejkos. Gjirokastrës nuk i duhet një deputet si ty.

/ArgjiroLajm.net/