GËZUAR DITËLINDJEN KOSOVË! Po seç ka një dhembje, e këputje të frymës…

kosova7-300x200Nga Myslim Pashaj

Alban Pruthi, nga aktivistët më të shquar të bashkësisë kosovare këtu në Uashington, mbërrin pak me vonesë, dhe ashtu përmidis muzikës së epërme të këngës “Xhamadani vija vija” ngjitet mbi një karrige, për të mbërthyer në mur urimin që e kish sjellë me vete, në atë përkujdesje organizative.

U hap letra si një pergamenë e hershme, u ngjit dhe doli në dritën e syve të bashkësisë: “Happy Birthday, Kosovë!”. Të gjithë duartrokasin, me një zjarr që e kishin me vete, ashtu si me ngut, si diçka e shtrenjtë dhe e shenjtë, se mos u ikte nga mendja dhe shpirti: Për atë “Kosovë që është gjaku që nuk falet”, sikundër do të thoshte poeti i madh Ali Podrimja.

Ishin mbledhur këtu në “Steel Plate” shqiptarë dhe kosovarë, prej së njëjtës ëndërr, prej të njëjtit mall që i ndjek në shekuj kudo në botë, nga koha në kohë, nga hapësira në hapësirë.

Po pse vallë Albani nuk e shkroi në shqip “Gëzuar ditëlindjen, Kosovë!” por e shkroi në anglisht? Mbase nuk duhet thelluar shumë, por e kësillojshme, ajo bën përshtypje me një ndjeshmëri më të lartë, sidomos tek vendasit amerikanë. Tek ne shqiptarët, qasen dy vijëdrejta, ato, të vizatuara në kohë të ndryshme, njëra e Presidentit Uillson, dhe tjetra e Presidentit Klinton që u erdhën shqiptarëve në udhëkryqe të historisë së tyre.

Prandaj urimi merr një trajtë përbashkimi të çeljes dhe jetësimit të lirisë, gjersa popuj të ndryshëm janë pranë njëri-tjetrit, në kulme të përpjekjeve dhe mbijetesës.

Ajo që ndodhi në prag të shekullit XXI me Kosovën e shqiptarët, në vendimmarrjen e liderit amerikan Klinton, për të ndëshkuar me bombardim qendrën e Europës (Beogradin) ishte një nga dëshmitë më të rralla të kohëve moderne, e cila gjeti rastin po aq të epërm, që Kosova të bëhej e lirë.

Prandaj ngjyrimi “Happy Birthday!” është një bashkëshkrirje urimi. Albani e Merita, dhe ja Sabriu i ardhur nga larg, përkalojnë nga radha në radhë, nga vallja në urim e kthim. Zef Brozi i shumënjohur, i qetë dhe i afërt, Akil Tirana, Aneta Xhiku e shumë të tjerë takojnë njëri-tjetrin.

Po seç ka një dhembje, e këputje të frymës, të atij ngërçi që ia prodhon vetvetja shqiptarit, për ato që ndodhin…

Myslim Pasha

Tubimet festive në Uashington e kudo tjetër, s’ka se si mos të kenë me vete dëshpërimin për politikën dështake të Kosovës së sotme, që për gjashtë muaj e mbajti në baltë “Karroca e Dylit” të shkuar, kur s’bënin dot qeveri, prej mendjes dhe virusit korruptiv, të urrejtjes e konfliktit, për trishtimin kontinental që ta sjell kjo ikje e re e kosovarëve, për ata 60 000 të tjerë që kërkojnë pasaportë jugosllave… këto të gjitha, dëshirojmë t’i hedhim pas. Po a hidhen dot, vallë?

Dikush ngrihet dhe flet për Ilirinë e Poshtme dhe Dardaninë, për shqiptarë dhe kosovarë, kështu të bashkuar, e një tjetër thotë një term matematikor: “Binom = dykufizor” që do të kthehet në “monom= një i vetëm” siç e shpreh edhe kënga e radhës “Një komb, një flamur…”. Ndjenja dhe përfytyrime shqiptarësh të cilat nuk shuhen.

Këta djem e vajza të larguar nga Shqipëria e Kosova, punojnë me dinjitet në institucione të larta të Qeverisë Federale, të Uashington DC, në Bankën Botërore e Institute studimore, studentë e punëtorë në profesione të ndryshme, ata kurrë nuk mendojnë se e kanë braktisur Shqipërinë apo Kosovën, ashtu siç nuk e kanë braktisur vendin e tyre komuniteti hebre, helen apo polak etj.

Por, doemos, një shqetësim në vete të krijohet kur teksa në truallin amë në mënyrë masive e demonstrative, ikja vijon… këtu kërkojnë të japin mend. Kjo sikur nuk shkon! “Gjasme përgjërohemi kur vetë kemi shpëtuar…” etj. Emigracion normal e të natyrshëm, ka pasur dhe do të ketë, se vetëm zhvillim sjell, por në rastin shqiptar është tragjike, si po ndodh këto ditë në Kosovë.

Kambana bie për veshët që dëgjojnë… Atje shtetarë të politikës korruptive, me sjelljet e tyre kanë prurë këtë gjendje që mbushet me pikëpyetje. Dhe reportazhi të ngec sërish në grykë, kur dëgjon tinëz… se “një shqiptar i pasur kërkon të bëjë një investim të madh në Uashington DC, … sepse në Shqipërinë e tij nuk ka siguri…”, e thotë lehtas një kosovar i festës, por ne bëjmë sikur nuk e dëgjojmë.

Është koha të festojmë! Të mos e çojmë dëshpërimin në skaj. Shpresat e dy Republikave, të të dy Shqipërive që ende nuk e kanë arrirë maturinë e tyre për të luftuar të keqen e vetvetes shqiptare që është tipike, do ta hapin këtë udhë. “Happy birthday Kosovë!”/Dita