Gjirokastër, Drejtoria e Bujqësisë bën tender për kamera sigurie dhe sistem alarmi. Por për çfarë hyjnë në punë?

Në fillim të muajit shkurt ArgjiroLajm.net bëri publike tenderat e dy institucioneve në Gjirokastër, për blerje të kamerave të sigurisë dhe sistemeve të alarmit. Ndërkohë së fundi mësohet se një tender të tillë e ka bërë edhe një tjetër institucion. Është fjala për Drejtorinë e Bujqësisë në Gjirokastër. Sipas dokumenteve që siguron ArgjiroLajm.net ky tender kap një vlerë 4.8 milonë lekë të vjetra me Tvsh.

Tenderi është zhvilluar më datë 27 shkurt. Sipas dokumenteve, janë blerë 4 kamera (dy të brendshme dhe dy të jashtme), si dhe disa aksesorë të tjerë. Nuk mund të paragjykojmë tenderin përsa i përket procedurave apo vlerës së tij, por është disi e çuditshme se përse institucione publike, jo të rëndësisë së veçantë, bëjnë investime të kësaj natyre.

Pra, përse Drejtoria e Bujqësisë Gjirokastër duhet të pajiset me kamera sigurie dhe sistem alarmi, a thua se aty ruhen vlera monetare apo dokumentacione të rëndësisë së veçantë? Risku më i lartë për të rënë pre e grabitjes është në banka apo institucione të tjera ku ka vlera monetare, jo në një institucion si Drejtoria e Bujqësisë. Le më pastaj që po të nisesh nga deklaratat e Ramës se këto drejtori do të shkrihen, për të kaluar në zyra bujqësie pranë bashkive, i bie që investimi në kamerat e sigurisë dhe sistemin e alarmit është i çuar dëm. Më poshtë dokumentet e tenderit.

©ArgjiroLajm.net