Gjirokastër, godinat muzeale mbulohen nga plehrat

Depozitimi i mbetjeve urbane në godinat e braktisura në zonën muzeale të Gjirokastrës është një problematikë e mprehtë jo vetëm për banorët por edhe për turistët që vizitojnë qytetin. Godinat e gurta të braktisura dhe në të cilat nuk jeton njeri po shërbejnë si vendgrumbullime plehrash në lagjet e sipërme të qytetit.

“ Godinat e braktisura të Qafës së Pazarit janë kthyer në kosha mbeturinash për hedhjen e mbetjeve të ndryshme madje në disa raste ato shërbejnë edhe si tualete publike ku banorët kryejnë nevojat personale. Një gjë e tillë po e ndot gjithmonë e më shumë këtë pjesë me vlerë të qytetit”, thotë i moshuari Neim Shehu.

Aktualisht, në zonën muzeale numërohen rreth 100 godina të braktisura, në të cilat nuk jeton njeri. Pjesa më e madhe e tyre janë ndotur si shak i depozitimit të mbeturinave nga banorët apo subjektet e ndryshme, duke dëmtuar edhe imazhin e qytetit për grupet turistike.

“Gjirokastra e ka patur në traditë pastërtinë. Na vjen keq që turistëtë të cilët vizitojnë zonën  muzeale shikojnë plehrat në shtëpitë e braktisura”, shprehet Shpresa Lena, e cila banon në afërsi të Pazarit karakteristik. Përfaqësuesit e Agjencisë së Shërbimeve Publike në Bashkinë e Gjirokastrës shprehen se vazhdimisht ata kanë ndërhyrë për largimin e mbeturinave nga godinat e braktisura por janë banorët të cilët vazhdojnë t’i depozitojnë plehrat në këto mjedise. “Vazhdimisht ne kemi larguar mbeturinat nga këto godina, aq më tepër për mirëmbajtien e Qafës së Pazarit si një zonë e vizituar nga turistët. Por megjithë punën tone, sërish banorët vazhdojnë t’i depozitojnë mbeturinat në këto godina, duke ndotur mjedisin dhe rrezikuar shëndetin e qytetarëve”, shprehet drejtori i Agjencisë së Shërbimeve Publike, Fadil Bojo.

Në disa raste grumbujt me mbeturina janë përfshirë edhe nga zjarret, duke rrezikuar edhe vlerat ndërtimore të pjesës karakteristike të qytetit. Më problemtike bëhet situata në këto ditë të sezonit turistik të pranverës kur edhe fluksi i vizitorëve është rritur ndjeshëm.

“Krahas pastrimit të vazhdueshëm të këtyre godinave në disa raste ne kemi nisur edhe ndëshkimin me gjoba për individët dhe subjektet që ndotin mjedisin. Për të frenuar depozitimin e mbetjeve urbane në godinat muzeale të braktisura  ne kërkojmë dhe bashkëpunimin e komunitetit. Në këtë mënyrë edhe qyteti do të përcjellë një imazh pozitiv për turistët”, shprehet Bojo./konica.al