Gjirokastër, mungojnë terrenet sportive në njësitë administrative

Nënkryetari i bashkisë Vangjel Muço: Krahas rehabilitimit të qendrave në fshatra, po shohim mundësinë e ndërtimit të mjediseve sportive.

Çdo pasdite Danieli 10 vjeçar, së bashku me një grup bashkëmoshatarësh, udhëtojnë nga fshati “Arshi Lengo”, në drejtim të Gjirokastrës për t’u stërvitur në një kalçeto sportive.  Fshati i tij ndodhet disa kilometra larg qytetit, ndërkohë që në mungesë të një mjedisi sportiv Danieli dhe shokët e tij janë të  detyruara që të stërviten në një kalçeto në Gjirokastër.

“Unë kam pasion futbollin dhe dëshiroj të stërvitem dhe të luaj si gjithë bashkëmoshatarët e mi. Por në fshatin tonë mungon një fushë sportive kështu që së bashku me shokët e tjerë jemi të detyruar të stërvitemi dhe luajmë në kalçetot në Gjirokastër”, thotë Danieli.

Aktualisht në pjesën më të madhe të njësive administrative në bashkinë e Gjirokastrës mungojnë mjediset sportive. Grupe fëmijësh, që banojnë në njësitë administrative, në mungesë të fushave sportive, udhëtojnë në drejtim të qytetit për të luajtur apo stërvitur në kalçeto të ndryshme.

Familjet, që janë vendosur në fshat, sakrifikojnë për fëmijët. Disa dëshirojnë që ata të argëtohen, disa që t’i nxisin dëshirat dhe talentin, të tjerë për t’i larguar nga veset e këqija. Ka pasur edhe raste kur të rinjtë janë ëprfshirë në ekipet sportive të qytetit të Gjirokastrës.

E gjithë kjo përkthehet në kosto financiare për këto familje.  “Në fshat mungojnë fushat sportive. Meqë djali im është i talentuar në futboll ,  pasdite ai udhëton për në qytet ku luan dhe stërvitet së bashku me bashkëmoshatarët e tij. Unë jam i detyruara që ti financoj atij udhëtimin apo pagesën për kursin e futbollit”, thotë Tahir Leka, banor i rrethinave të Gjirokastës. Si Tahiri ka dhjetëra të tjerë.

Sipas përfaqësuesve të sportit në bashki, kohët e fundit janë marrë disa nisma jo vetëm për ndërtimin e  mjediseve sportive  dhe këndeve të lojërave për argëtimin e fëmijëve në njësitë administrative. “Në fshatin “Asim Zeneli”, njësia administrative Antigone, zbatimi i projektit për rehabilitimin e qendrës së fshatit krijoi edhe mundësinë e ndërtimit të një parku lojërash për argëtimin e fëmijëve. Ne synojmë që nëpërmjet investimeve të ndërtojmë edhe mjedise sportive publike në qendrat e njësive administrative të bashkisë”, pohon nënkryetari Vangjel Muço.

Në këtë drejtim bashkia e Gjirokastrës po bashkëpunon edhe me komunitetin e banorëve për të mundësuar inicimin e nismave të përbashkëta për ndërtimin e mjediseve sportive në fshatrat dhe njësitë administrative. Ndërtimi i fushave sportive publike,  jo vetëm që do të shërbente për argëtimin e fëmijëve,  por do të nxiste dhe promovonte  talentet e reja në sport./konica.al