Gjirokastër, pianistja me famë botërore kthehet në vendlindje

Pas koncerteve në Gjermani, SHBA, Luksemburg, Austri,  Dhurata Bejleri (Lazo) nderohet me çmimin “Krenaria e Gjirokastrës” nga Këshilli Bashkiak i qytetit.

Artisten gjirokastrite Dhurata Bejleri (Lazo) e takojmë ndërsa është rikthyer sërish në vendlindjen e saj Gjirokastrën e gurtë. Tashmë, falë talentit dhe vullnetit në instrumentin e pianos, ajo është një artiste me famë botërore.

Pasi përfundoi studimet për piano në Gjirokastër, Dhurata vazhdoi Liceun Artistik në Tiranë e më pas Akademinë e Arteve. Që kur ishte studente, interpretoi me Orkestrën Simfonike të Televizionit Shqiptar, një orkestër e cila në atë kohë përbëhej nga muzikantë të shquar, njëherazi pedagogë të saj. Më pas si soliste në orkestrën e dhomës ajo është vlerësuar me disa çmime.

Ashtu si mjaft kolegë të saj artistë, edhe pianistja gjirokastrite në fillim të viteve ’90-të do të largohej nga vendi. Por megjithëse në emigracion nuk do të hiqte për asnjë moment dorë nga muzika dhe pianoja. Fillimisht në Gjermani së bashku me bashkëshortin e saj instrumentistin Zija Bejleri do të jepte disa koncerte.

Pjesëmarja e saj në skenat artistike botërore vijoi  me koncertet në Itali, Gjermani, SHBA, Luksemburg, Austri, regjistrimet për shtëpinë diskografike Phoenix CD “Concerto di Lafranchi”, apo pjesëmarrjen në festivale për pianoforte në Chioggia (Venezia), Padova, ordenone e Udine.

Gjatë prezantimeve të saj artistike jashtë kufijve të vendi e paharruar për Dhuratën ka ngelur oferat e bërë nga ndërmarrja prodhuese e pianoforteve “Fazioli”. “Ata më dhanë mundësinë që të luaja në premierën e pianofortes Model F308, e konceptuar për salla të mëdha koncertesh, një shpikje kjo që zvogëlon akoma më shumë vëllimin e tingullit pa modifikuar timbrin e tij”, thotë Dhurata.

E megjithatë sukseset në skenat botërore sërish dëshira e pianistes ka qenë organizimi i koncerteve në Shqipëri edhe ne vendlindjen e saj, Gjirokastrën e gurtë. “Kjo dëshirë është realizuar pasi së bashku me orkestrën e Radio-Televizionit Shqiptar interpretova koncertin e prof. Çesk Zadesë për piano dhe orkestër si dhe disa koncerte të tjera ndërkohë që edhe në skenën artistike të Gjirokastrës kam qenë e pranishme”, thotë pianistja.

Ajo ka punuar me shumë dëshirë për koncertet në Gjirokastër të duke i dhuruar qytetit të saj një buqetë të këndshme muzikore. “Ndjehem shumë e respektuar nga vendlindja ime aq më shumë që Këshilli Bashkiak i qytetit më ka akorduar edhe titullin “Krenaria e Gjirokastrës”, thotë pianistja Dhurata Bejleri (Lazo) ndërsa premton se së shpejti do të kthehet në vendlindje me një tjetër koncert recital./konica.al