Gjirokastër, teatri në vështirësi; kërkohet restaurimi (VIDEO)

Teatri profesionist “Zihni Sako” në Gjirokastër mund të japë shfaqje vetëm gjatë 4 apo 5 muajve në vit.

Mungesa e sistemit të ngrohjes dhe ajrimit të sallës kryesore dhe mjediseve të tjera vështirëson punen dhe qëndrimin e publikut në muajt e ftohtë dhe të nxehtë.

Sipas drejtorit Kudret Aliko restaurimi duhet të fillojë urgjent.

“Dora e fundit është vendosur më 1971, kur të gjithë teatrot e vendit janë rikonstruktuar. Problemi i dytë me teatrin, edhe në rang kombëtar është aktorët e rinj. Kryesisht është një dashuri e tejskajshme e të gjithëve për Tiranën. Problemi i tretë, është që të ketë një rikonceptim të teatrit në nivel qendror”, thotë drejtori i këtij teatri, Kudret Aliko.

Teatri “Zihni Sako” vë në skenë rreth 2-3 shfaqje në vit, ndërsa që prej Ballshit e deri në Konispol teatri i Gjirokastrës me 9 aktorë është i vetmi institucion kulturor i këtij niveli.

Viktor Çaro është aktori më i vjetër ende aktiv që ju bashkua teatrit në vitin 1974. Ai ka parë shkëlqimin dhe zbehjen e artit, por ende është optimist.

“Ka qe në 1968 dhe struktura vetëm e teatrit ka qenë 28 vetë. Aktualisht ne jemi 5,6 deri në 7 aktorë. Është si nata me ditën. Nuk mund të bëjë krahasime dhe shihet vetë gjendja”, thotë aktori Viktor Çaro.

Trupa profesioniste e Gjirokastrës u ngjit për herë të parë në skenë në 27 nëntor të vitit 1968 me teatrin “Shokët” të Bashkim Kozelit.

Më shumë se 54 aktorë profesionistë kanë punuar ndër vite për të vënë në skenë mëse 130 shfaqje./tch