Gjirokastra dhe Ura e Hoshtevës, Kumbaro përballet me opozitën në Kuvend

Raportimi i ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro në Komisionin e Edukimit u shoqërua me debate të forta mes saj dhe kryetares së këtij Komisioni, Albana Vokshi.

“A e ndieni veten përgjegjëse që po shkatërrohen monumentet e kulturës? Nga prezantimi doli që është faji i natyrës”, iu drejtua Vokshi ministres Kumbaro.

“Në lidhje me objektet që në 3-4 shkurt pësuan dëme, ura e Hoshtevës në Zagori, Drejtoria Rajonale e Gjirokastrës kishte evidentuar problematika në këtë urë. Është bërë një evidentim i detajuar i situatës. Prurjet e ujit në këtë periudhë të vitit janë të shumta dhe terreni është i paaksesueshëm në këtë zonë dhe ishte e pamundur që ndërhyrjet të bëheshin në këtë periudhë të vitit. Ekspertët konstatuan se ndërhyrjet duhet të bëheshin në një moment tjetër”, deklaroi ministrja Mirela Kumbaro.

Raportimi i Ministres është shoqëruar me ndërhyrje dhe akuza nga deputetët e opozitës për shkak se Ministrja e Kulturës pranoi se ndodhen 219 Monumente Kulture në rrezik shembje.

Kumbaro106 objekte nuk ekzistonin fare, ndërkohë që ishin në listë 52 plotësisht të shkatërruar, 219 të konsideruara me risk. Pjesa tjetër të rikuperusheshëm, me problematika të ndryshme.

Kohët e fundit janë dëmtuar rëndë urat e Orgockës e të Hoshtevës dhe varret e Selcës të gjitha të shpallura Monumente Kulture. Deputetët e opozitës kanë bërë përgjegjëse Kumbaron që nuk ka ndërhyrë në momentin e duhur, edhe pse Ministrja deklaroi se për vitin 2016-2017 janë investuar 15 milionë lekë të reja.

Kumbaro: Ekspertët thonë që së pari mund të jetë konsolidimi dhe restaurimi i rrënojave që kanë mbetur në vend. Është një alternativë dhe që është opsion i zakonshëm në jetën e monumenteve, gjithmonë konservohet ajo që mbetet.

Debatet e kanë risjellë vëmendjen tek kalaja e Gjirokastrës për të cilën opozita ka akuzuar Ministren se e ka kthyer si qyteti i Alepos për shkak të plasaritjeve të mureve.

Shehu: Gjirokastrën ta shikosh, fotot i keni, nuk kam nevojë t’i hap sot, i publikova. Duket si Aleppo pas luftës.

KumbaroNe kemi arritur të fusim në programin e Bankës Botërore projektin ‘Shtegu i Ali Pashait dhe Stabilizimi i Skarpateve’ pranë Kalasë së Gjirokastrës me një vlerë të parashikuar të investimit 1.600.000 euro.