Gjirokastra e “mbytur” nga plehrat, banorët: Dikur ishim me nam për pastërti

hqdefaultDepozitimi i mbetjeve urbane dhe mungesa e një landfilli vijon të mbetet një ndër problemet më shqetësuese për Gjiro-kastrën. Pastërtia në territorin e bashkisë së re, Gjirokastër, duket se është ende larg parametrave të një emërtimi të tillë. Kazanë të tejmbushur e mbeturina të hedhura vend e pa vend janë pjesë e panoramës që të ofrohet. Situata në brendësi të qytetit duket disi më optimiste, por në rrethinat e tij, përgjatë rrugës nacionale dhe jo vetëm ndeshesh kudo me pirgje mbeturinash. Një vit më parë bashkia e këtij qyteti ndërmori një iniciativë për pastrimin e ambientit, duke e nisur pikërisht nga njësia administrative e Lazaratit. Në atë kohë u tha nga kryebashkiakja Zamira Rami se do të ketë një ditë të veçantë çdo muaj kushtuar kësaj nisme, pastrimit të territorit, nismë që nisi dhe përfundoi aty, gushtin e vitit 2015. “Përfaqësuesit e bashkisë erdhën vetëm një herë vjet për të diskutuar për pastrimin vullnetar dhe nuk u dukën më. Këtu nuk ka kosha mbeturinash, ndaj ne detyrohemi t’i hedhim në mes të vendit”, pohuan dje pronarë të bizneseve pranë rrugës nacionale Gjirokastër-Kakavijë, në Kordhocë.
MBETURINAT
Strategji të ndryshme për grumbullimin e mbeturinave janë folur gjatë e herë pas here edhe në këshillin bashkiak, por asnjë prej tyre nuk ka qenë efikase. Sipas banorëve të Gjirokastrës, ndërtimi i një landfilli është një temë e trajtuar herët, por deri tani nuk është bërë asgjë. “Premtimi më i fundit për ndërtimin e tij erdhi një vit më parë, pikërisht në qershor të 2015, kur gjatë fushatës elektorale ministri i Mjedisit, Lefter Koka premtoi përfundimin e landfillit brenda vitit të ardhshëm, duke e konsideruar zbatimin e këtij projekti të vonuar për një qytet si Gjirokastra”, thanë ata. Në lagjen e re të Gërhotit, banesat ndodhen shumë pranë vendgrumbullimit të mbeturinave të të gjithë Bashkisë Gjirokastër. Dikur një zonë e izoluar, larg banesave dhe në dalje të qytetit, sot situata aty duket krejt e ndryshme. Ndërtimet informale, migrimi i banorëve nga zonat e thella dhe vendosja e tyre në këtë hapësirë boshe solli dhe afrimin e kësaj zone me qytetin. Era e keqe ndihet kudo dhe banorët e kësaj zone janë ata që e vuajnë më së shumti. Moza, një grua 48-vjeçare, u shpreh se fillimisht ka qenë e vështirë të mësoheshin me erën e rëndë, sidomos në stinën e verës. “Nuk do ishte keq të mos i mblidhnin më këtu. Thanë do bëjnë landfillin, por akoma asgjë”. Pamundësisë së ndërmarrjes komunale për pastrimin e plotë të territorit i shtohet edhe papërgjegjshmëria e banorëve. Më problematike situata paraqitet në zonat periferike apo edhe në fshatra, ku banorët vazhdojnë ende të hedhin mbeturinat e tyre në përrenj.
BANORËT
Edhe pas ndarjes së re territoriale, grumbullimi i mbeturinave në fshatra vijon të mbetet shqetësues. Në gjithë qytetin e Gjirokastrës ndodhen rreth 300 kontenierë. Banorët e qytetit muze deklaruan se dikur Gjirokastra ka qenë me nam për pastërti. “Dikur, qyteti ka qenë shumë i pastër, ndërsa tani po na mbyt pisllëku”, tha nënë Vasillua, një ane tipike gjirokastrite, që e gjen përditë duke fshirë me kujdes rrugën para portës së shtëpisë së saj karakteristike. Po sipas banorëve, pavarësisht të gjitha premtimeve, qyteti i UNESKO-s dhe rrethinat e Bashkisë së Gjirokastrës vijojnë ende të jenë në të njëjtën situatë të pandryshuar, të bashkëjetesës së tyre me mbeturinat./GSH