Gjirokastra nderon Rauf Ficon (FOTO)

Ditën e sotme bazorelievi i Rauf Ficos u vendos në zonën muzeale të Gjirokastrës, përkra personaliteteve të tjera të qytetit si Musine Kokalari, Ismail Kadare dhe Eqrem Çabej. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast merrnin pjesë pasardhës të familjes Fico, përfaqësues të Bashkisë Gjirokastër etj. Rauf Fico lindi në Sana të Jemenit më 13 mars të vitit 1881. Ai rrjedh nga familja Fico e Gjirokastrës dhe shquhet si një prej intelektualëve më të spikatur të vendit.  Me shpalljen e pavarësisë u gjend në krah të Ismail Qemalit, në Vlorë. Nismëtar i të parës strehë vorfnore të Tiranës, i të parit gjimnaz dhe i të parit spital të qytetit.

Zëvendësministër, ministër dhe njëherësh deputet i Parlamentit shqiptar në periudha të ndryshme, ai arriti që të rregullojë edhe marrëdhëniet shqiptaro- turke, pas shpalljes së vendit si Mbretëri. Një formë regjimi e kundërshtuar nga Ataturku, që njihej si “patriot i flaktë i republikës”, por që Fico ia doli mbanë që ta pajtonte me Ahmet Zogun. Por pavarësisht kontributit të shumëfishtë të tij, u harrua nga komunistët. U mohua më saktë, duke ia fshirë emrin gjithkund. Ai ndërroi jetë, pikërisht kur ky sistem do të instalonte pushtetin, në janar të vitit 1944.