Gjirokastra po zbrazet, vetëm gjatë vitit të kaluar janë larguar 3 mijë vetë

Emigracioni i lartë dhe rënia e lindshmërisë po e çojnë popullsinë e vendit në rënie të shpejtë më shumë se sa projeksionet e popullsisë. Sipas të dhënave të sotshme të INSTAT me 1 janar 2008 popullsia e Shqipërisë 2018, rezultoi 2.870.324 banorë duke pësuar një rënie me 0,2 % krahasuar me 1 Janar 2017. Struktura e popullsisë sipas gjinisë në 1 Janar 2018 rezulton me 1.438.609 burra dhe 1.431.715 gra. Gjatë vitit 2017, shtesa natyrore e popullsisë (lindje-dekje) është 8.637 banorë, duke pësuar një rënie prej 16,5 % krahasuar me një vit më parë.

Migracioni neto në vitin 2017, është -14.902 banorë. Nga përllogaritjet e popullsisë në 1 Janar 2018 rezulton se vetëm tri qarqe të vendit shënuan një rritje të popullsisë krahasuar me një vit më parë, ndërsa nëntë prej tyre shënuan një rënie të saj. Rritja më e madhe u vu re në Tiranë (+25,1 për 1000 banorë), duke u pasuar nga Durrësi (+16,9 për 1000 banorë) dhe Vlora (+2,15 për 1000 banorë). Uljet më të mëdha të popullsisë u vunë re në Gjirokastër (-45,3 për 1000 banorë), Dibër (-36,6 për 1000 banorë) dhe Berat (-34,2 për 1000 banorë). Nga Gjirokastra vetëm gjatë vitit 2017 janë larguar rreth 3 mijë vetë.  Qarku me moshën medianë më të ulët është Tirana (33 vjeç), ndërsa qarku me moshën medianë më të lartë është Gjirokastra (38 vjeç).