Gjirokastritët të dytët në Shqipëri që konsumojnë më shumë alkol

Anketa më e fundit e Instat dhe Institutit të Shëndetit Publik flet dhe për konsumin e alkoolit si dhe duhanit mes shqiptarëve, në të 12 qarqet, sipas grupmoshave, gjinisë, pasurisë dhe arsimit. Për alkoolin, kampion është padiskutim qarku i Beratit, me 1/5 meshkuj që deklaron se pi të paktën 5 pije në javë, si dhe me vetëm 1/10 që deklaron se nuk ka pirë asgjë alkoolike në 12 muajt e fundit.

Në të dyja rastet ky është një nivel rekord në krahasim me 11 qarqet e tjera të vendit. Edhe për femrat, Berati zë vendin e parë në të dyja rastet, paçka se me vetëm 1.5% të femrave që pinë të paktën 5 pije në javë, dhe me 56% të tyre që nuk kanë pirë asgjë në 12 muajt e fundit.

Mes meshkujve që pinë shumë, pra më shumë se 5 pije në javë, pas Beratit renditet Gjirokastra, paçka se me diferencë të ndjeshme, me 9.7%, më pas Lezha me 8% Fieri, Elbasani dhe Vlora. Ajo që bie tjetër në sy nga konsumi i alkoolit është fakti se, ulet ndjeshëm në bazë ta arsimit, si dhe në bazë të nivelit të pasurisë të gjithsekujt. Sa më i lartë arsimimi i një mashkulli, aq më pak alkool pi, dhe sa më e madhe pasuria, aq më i ulët është konsumi i alkoolit.

E ndërkohë që mban vendin e parë në Republikë për konsumin e alkoolit në thuajse çdo indikator, si te meshkujt ashtu edhe te femrat, Berati është pranë rekordit edhe për konsumin e duhanit, paçka se vendin e parë i`a “rrëmben” qarku i Vlorës, sa i përket meshkujve. Për fermat, Berati zbret në vend të tretë, pas Tiranës dhe Vlorës.

Pra, si për alkoolin, ashtu edhe për duhanin, me përjashtim të një rasti të vetëm, Lezhën për alkoolin, jugu dhe veriu janë të ndarë si më thikë, me veriun që duket të jetë më “puritan” në drejtim të këtyre dy veseve më të përhapura dhe më problematike, jo vetëm në Shqipëri por edhe në botë.