Goditja e radhës për LSI Gjirokastër, pritet shkarkimi i një tjetër drejtori (Emri)

Sikundër u raportua më herët, pritet që në fillim të javës së ardhshme të zyrtarizohen shkarkime të tjera në administratën publike në Gjirokastër nga radhët e drejtuesve të LSI-së.

Libohova Online mëson nga burime të besueshme se kësaj radhe në “shënjestër” është drejtori i Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, Spiro Diamanti, i cili është emëruar në këtë post prej LSI-së dhe deputetit Vangjel Tavo. Mësohet se shkarkimi i tij vjen për shkak të përfshirjes në fushatën elektorale të LSI-së.

Diamanti është gjithashtu edhe kryetari i Këshillit Bashkiak Dropull, bashki e cila formalisht drejtohet prej një përfaqësuesi të Partisë Demokratike, por që në të vërtetë pushtetin edhe aty e ka LSI. Shkarkimi i pritshëm i Diamantit shihet si një tjetër goditje ndaj LSI-së, po të kemi parasysh se deri më tani janë shkarkuar 4 drejtorë të saj në qarkun Gjirokastër.

Me shkarkimin e tyre shkëputet influenca dhe presioni për votën ndaj punonjësve që kanë në varësi. Sidoqoftë mbetet ende për t’u parë gjatë javës së fundit të fushatës se çfarë zhvillimesh do të ketë. Shenjat janë se tensionet kanë për t’u rritur.

/Libohova Online/